Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dreshaj e quan të turpshëm e të padrejtë arrestimin e dy deputetëve

Për deputetin e AAK-së, Gani Dreshaj, arrestimi i deputetëve kosovarë për deklaratat e tyre në studio televizive është i padrejtë dhe i turpshëm.

“Prokuroria e Kosovës ka mjaft punë për të bërë, ka mjaft kriminelë që sillen në rrugët e Kosovës të lirë e kapadai. Nuk është e lehtë ta mbyllësh një deputet të zgjedhur nga vota e popullit, veç pse ai ka shprehur mllefin e tij në studio televizive ndaj situatave të turpshme të krijuara kohëve të fundit”, ka thënë Dreshaj.

Sipas tij, deputeti kudo në botë, në shtetet demokratike respektohet dhe gëzon imunitet.

“Ndërsa tek ne arrestohet e lirohet me teke të dikujt! Nëse kjo situatë vazhdon, publikisht e them se unë shumë shpejt do të dorëzoj mandatin e deputetit”, ka thënë ai më tej.