Ka dy vjet që gjimnazi “Xhevdet Doda” në Prishtinë nuk ka psikologë. Kjo shkollë, e cila ka afro 1.200 nxënës ka bërë kërkesë për angazhimin e një psikologu, por ende nuk i është realizuar kërkesa.
Drejtori Azem Jaha thotë se është e domosdoshme për shëndetin e nxënësve që sa më parë të kenë psikolog në shkollë.
“Roli i psikologut sikurse edhe i pedagogut thuajse është gati i pazëvendësueshëm, sidomos në këto kushte pandemie kur sikurse çdo individ ndeshet me këto pasoja të pandemisë që mund të ndikojnë edhe psikologjikisht ose në aspektin psikik tek të rinjtë, sidomos tek fëmijët e shkollave qoftë fillore, qoftë të mesme të larta”, ka thënë Jaha.
Tash e disa vite psikolog nuk ka as në gjimnazin e shkencave shoqërore “Ahmet Gashi”.
Drejtori Ajet Brajshori ka thënë se presin që institucionet ta respektojnë ligjin për arsimin parauniversitar, i cili parasheh angazhimin e tyre.
“Pavarësisht nga koha, por në veçanti tash në kohë të pandemisë psikologu është shumë i rëndësishëm për shkolla, sidomos për fëmijët, sepse edhe ne si të rritur e kemi një lloj stresi, një lloj shqetësimi dhe merakosje për gjendjen, por edhe fëmijët i kanë ato shqetësime”, ka thënë Brajshori.
Kërkesë të njëjtë kanë edhe vetë nxënësit.
“Kërkesa ime është që ta kemi sa më shpejt një psikolog në shkollën tonë edhe nëse nuk kemi raste. Te klasa ime kam parë që kanë nevojë për një psikolog, sepse edhe si një lloj depresioni mund të jetë kjo gjendje e pandemisë”, ka thënë Aredea Krasniqi, nxënëse e klasës së 12-të.
Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se në këtë komunë janë të punësuar 14 psikologë që i mbulojnë 27 shkolla. Ndërkaq, 30 shkolla sipas Komunës janë të pambuluara me psikologë permanentë, por në rast nevoje mbështeten me ata ekzistues.
“Për punësim të psikologëve vazhdimisht kemi adresuar kërkesa në institucionet përgjegjëse, por nuk kemi marrë aprovim për shkak të numrit të kufizuar të të punësuarave në arsim në Komunën e Prishtinës dhe implikimeve buxhetore”, thuhet në përgjigje.
Ministria e Arsimit nuk është përgjigjur për mungesën e psikologëve dhe planet për punësimin e tyre.