Prej vitit 2017 disa herë është ndërruar drejtori i Policisë së Krimeve Ekonomike. Të hënën është shkarkuar Nazim Sahiti nga kjo pozitë e në vend të tij është vendosur Musli Salihu. Gjatë këtyre viteve nga pozita e drejtorit ishte shkarkuar edhe Emin Beqiri, për shkak të dyshimeve që ishte i përfshirë në keqpërdorime, ndërsa Bashkim Spahiu ishte larguar për shkak se gjykata e kishte kthyer në këtë pozitë një tjetër ish-drejtor të larguar më herët
Një nga departamentet më të rëndësishme në Policinë e Kosovës, ajo për hetimin e krimeve ekonomike, ka pritur e përcjellë pesë drejtorë të ndryshëm për 4 vjet. I fundit që është shkarkuar nga kjo pozitë është Nazim Sahiti, për të cilin kjo nuk është hera e parë.
Sahiti është degraduar të hënën në përfundim të orarit të punës. Ai do të shërbejë si këshilltar i drejtorit rajonal të Prishtinës.
Një nga drejtorët që ka mbajtur më së gjati këtë pozitë ishte Emin Beqiri. Ai e pasoi Agron Nezajn në vitin 2011 dhe e udhëhoqi këtë drejtori deri në vitin 2017.
Një hulumtim i KOHËS që shpërfaqte dyshime se Beqiri kishte bashkëpunuar me një të dyshuar tjetër për të mbyllur një rast në Polici u bë shkak që ai të degradohej.
Në vend të Beqirit, këtë pozitë e mori Nazim Sahiti në vitin 2017. Deri atëherë Sahiti nuk ishte i njohur për publikun, por muaj me vonë ishte përfshirë në rrahjen e ish-drejtorit të Telekomit, Agron Mustafa. Sahiti ndonëse shihej në pamje duke u goditur, nuk ishte përfshirë fare në kallëzim penal nga IPK-ja, e kjo bëri që mediat e shoqëria civile të raportonin për ndikimin që ai kishte mbi këtë institucion. Sahiti atëkohë ishte përfolur për raporte të mira me ish-drejtorin e Policisë, Shpend Maxhuni.
Kur drejtor i Policisë së Kosovës u bë Rashit Qalaj, zyrtari i parë i rëndësishëm që ishte degraduar ishte Nazim Sahiti. Përveç tij nga kjo drejtori ishin larguar shumë hetues policorë. Në vend të Sahitit u caktua Bashkim Spahiu.
Por Sahiti përmes një procesi të shpejtë në gjykatë, ku ishte ankuar për largimin e tij nga pozita, fitoi rastin dhe në janarin e këtij viti sërish ishte kthyer në këtë drejtori.
Lëvizja Vetëvendosje kur ishte në opozitë ka folur disa herë për policinë. Vetë ministri i tashëm i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tre vjet me herët kishte ngritur në publik dilema për të kaluarën e Sahitit.
“Në këto kushte i kam disa pyetje për drejtorin e përgjithshëm Shpend Manaxhuni: Njëri nga zyrtarët e përfshirë në rrahjen e drejtorit të postës dhe shoqëruesit të tij është u.d i drejtorit të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, Nazim Sahiti, i cili herë na shfaqet si i dyshuar e herë si dëshmitar, herë kërkohet suspendimi i tij e herë lejohet të punojë në funksionin aktual, varësisht linjës komanduese ilegale brenda Policisë. Z. Maxhuni, a e ka kaluar Nazim Sahiti verifikimin e AKI-së që bëhet për zyrtarë të lartë të sigurisë. Nëse jo, pse jo”, pati thënë Sveçla.
Sahiti me vendim të drejtorit Samedin Mehmeti është larguar nga kjo pozitë, ndërsa tash e tutje atë do ta zëvendësojë majori Musli Salihu, i cili deri tani ka qenë komandant i Stacionit policor në qendër.
Krimet Ekonomike konsiderohen si fushë shumë e rëndësishme, për shkak se të gjitha hetimet që lidhen me korrupsionin hetohen pikërisht nga hetuesit e kësaj drejtorie. KOHA ka raportuar për shumë skandale që e kanë shoqëruar ndër vite këtë drejtori.
Legjenda: Me vendim të drejtorit të Policisë së Kosovës është shkarkuar drejtori i Departamentit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, Nazmi Sahiti. Atë do ta zëvendësojë majori Musli Salihu, i cili deri tani ka qenë komandant i Stacionit policor në qendër.