Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Drejtori Qalaj kërkon nga menaxhmeti i Policisë realizimin e objektivave strategjike

Policia e Kosovës njofton për një takim të drejtorit të përgjithshëm Rashit Qalaj me stafin menagjerial të Policisë së Kosovës në DPP, duke përfshirë drejtorët e departamenteve, divizioneve si dhe drejtorët rajonalë.

Sipas njoftimit në këtë takim drejtori Qalaj kërkoi nga menaxhmenti policor realizimin e objektivave strategjike të cilat dalin nga Plani Zhvillimor Strategjik i Policisë së Kosovës, menaxhimin sa më efikas policor, e në veçanti u potencuan dhe njëherësh u kërkua në vazhdimësi ngritja e performances dhe integritetit policor.

“U diskutuan edhe çështjet kyçe që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarit, bashkëpunimin dhe takimet me komunitetin, luftën kundër korrupsionit, sigurinë në trafik, parandalimin e veprave kriminale si vjedhjet, grabitjet, drogat etj, duke kërkuar që të punohet dhe angazhohen edhe më shumë që të krijohet një klimë edhe më e qetë dhe më e sigurt për të gjithë qytetarët, e që kontribuon edhe në sigurinë e përgjithshme të vendit”, thuhet në njoftimin për media.

Drejtori Qalaj, theksoi se përmes vlerësimit të performancës së zyrtarëve policorë, përmes menaxhimit sa më efikas të burimeve njerëzore dhe atyre logjistike, mund të arrihen rezultate edhe më pozitive në shumë sfera policore.

Takimi rezultoi me zotimin për angazhime shtesë nga të gjithë të pranishmit, me qëllim të përmbushjes së detyrave dhe obligimeve policore, të cilat janë në interes të qytetarëve dhe vendit.