Një mësimdhënës i shkollës fillore në Pejë ka vrarë babanë e nxënëses së tij pasi para pak javësh ai u dënua me 3 vjet e 6 muaj burgim për sulm seksual ndaj saj.
Rasti ka ndodhur në dhjetor të vitit 2019, ndërsa Gjykata Themelore në Pejë më 1 prill ka marrë vendim për burgimin e tij.
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj, ka thënë se mësimdhënësi i cili ka dhënë lëndën e fizikës në shkollën “Dardania”, ka qenë i suspenduar nga puna prej kur është paraqitur rasti në organet e drejtësisë.
“Zyrtarisht nuk kemi si drejtori informatë. Mësimdhënësi ka qenë i fizikës në shkollën “Dardania” në Pejë, është me përvojë 10-vjeçare në arsim. Ka qenë i suspenduar në rastin që ka qenë i njohur dhe është gati që 1 vit e gjysmë i suspenduar dhe është ballafaquar me prokurori dhe gjykatën”, ka thënë ai në Express Intervistë.
Avdimetaj ka sqaruar se si drejtori kanë hartuar një rregullore sipas së cilës precizohen veprimet dhe vendimet që duhet të ndërmerren në raste të tilla.
Ai ka thënë se përgjatë viteve, këtë rregullore e kanë plotësuar me kërkesën e prindërve e mësimdhënësve për shkak të disa rasteve që kanë ndodhur.
Edhe
Arsimtari në Pejë dënohet me 10 vjet burgim për vrasjen e babait të nxënëses
“Rasti i fundit dhe disa raste aty-këtu të tjera dhe kërkesat e prindërve, që duke menduar se ministria nuk ka bërë ndonjë rregullore, ne kemi hartuar një rregullore që i plotëson këto situata që janë të pavolitshme në shkolla”, ka shtuar Avdimetaj.
Avdimetaj ka apeluar tek nxënësit që nëse përballen me situata të tilla t’i raportojnë, ndërsa shtoi se rasti i fundit e ka njollosur sistemin e arsimit.
“Është akt i rëndë sepse e njollos sistemin e arsimit në Kosovë. I inkurajojmë të gjithë që rastet e tilla t’i raportojnë”, ka përfunduar Avdimetaj.