Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjilanit, Selvete Sylejmani, ka deklaruar se me dakordim me kryetarin e kësaj komune, Alban Hyseni, ka liruar pozitën e saj.
Krejt kjo ka ardhur, sipas saj, për shkak të shpifjeve dhe akuzave për nepotizëm duke përmendur një konkurs për punësim në Drejtorinë Komunale të Arsimit.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se është akuzuar nga njerëz jokredibil “ish-politikan të dështuar e persona që kanë tentuar vazhdimisht të imponojnë e të inskenojnë manipulime të ndryshme tash e disa vite”.
“Përgjegjësia për punësimin e aplikuesve në konkursin e datës 24.06.2022 nuk bie në asnjë formë mbi kompetencat e Drejtorit, prandaj çfarëdo akuze e pafaktuar ndaj meje, duke targetuar lidhjen time familjare me ndonjë prej kandidatëve, është e papranueshme dhe jologjike. Gjatë gjithë kësaj kohe, asnjëherë, askush nga zyrtarët e DKA-së nuk ka pasur asnjë lloj presioni nga ana ime, e nga ana e askujt tjetër dhe në këtë drejtim kam qenë gjithmonë e prerë. Nataret e komisionit të po këtij konkursi kanë kryer punën në mënyrë të pavarur”, ka thënë ajo.
Gjatë ditës kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, ka thënë se disa ankesa janë të mjaftueshme për të ngjallë dyshimin se një proces nuk po shkon siç duhet, derisa ka shtuar se konkursi për rekrutim të mësimdhënësve në Drejtorinë Komunale të Arsimit është anuluar dhe është kthyer në pikën zero, duke iu mundësuar të gjithë aplikuesve vlerësim të drejtë.
Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka thënë se vendimi për lirim të detyrës është shumë i vonshëm.
Sipas tyre, Komuna e Gjilanit është degraduar që prej marrjes së detyrës nga Lëvizja Vetëvendosje.
Edhe
Tensione në Kuvendin Komunal të Gjilanit, shtyrje mes drejtorit të VV-së dhe asamblistit të PDK-së
“Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, që nga fillimi i mandatit qeverisës të udhëhequr nga VV, ka ngritur shqetësimet e vazhdueshme për nepotizëm të vazhdueshëm në punësim, për keq qeverisje e për bllokim të projekteve zhvillimore për Gjilanin. Rasti i fundit i punësimeve familjare të eksponentëve të VV-së e shpërfaq më së miri degradimin e skajshëm të qeverisjes komunale, e aq më keq, sektorin më të rëndësishëm – arsimin. Veprimi i z. Hyseni për shkarkim të drejtoreshës së Arsimit dhe për anulim të konkursit është vendim i zorit e shtatë ditë me vonesë, vetëm pas presionit nga ana e Degës së LDK-së dhe të qytetarëve në përgjithësi”, thuhet në komunikatën e dërguar mediave.
LDK-ja ka kërkuar që të shkarkohet edhe drejtuesi i vendosur në Bordin e Teatrit të Qytetit, Avni Shkodra.
“Shkarkoje edhe drejtuesin e vendosur në Bordin e Teatrit të Qytetit, Avni Shkodrën, sa nuk është bërë e madhe dhe mos prit shtatë ditë se duhet ta shkarkosh pas asaj që do t’i njoftojmë ne qytetarët. LDK ka alarmuar me kohë për këtë degradim të skajshëm e katandisje të qeverisjes komunale, por tashmë qytetarët po e kuptojnë mashtrimin e madh që emrin e ka VV”, thuhet në njoftim.