Kosova rrezikon të humbë rreth 200 milionë euro nga marrëveshjet me Bashkimin Evropian dhe Bankën Botërore, si pasojë e dështimit të formimit të Qeverisë dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme pa ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Zvarritjet për formim të institucioneve mund të çojnë në kolaps financiar që mund të prekë pagat, pensionet dhe funksionimin bazë të shtetit
Dështimi i formimit të Qeverisë për herë të dytë dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme pa ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare me Bashkimin Evropian dhe atë me Bankën Botërore rrezikon t’ia humbë Kosovës rreth 200 milionë euro.
Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP tha se shkaku i vonesave që janë bërë në nisjen e zbatimit të këtyre kredive rrezikohet seriozisht humbja e tyre, e veçanërisht nëse do të ketë zvarritje të themelimit të institucioneve edhe pas zgjedhjeve të parakohshme, që është paralajmëruar se mund të mbahen në dhjetor.
“Mosratifikimi i marrëveshjeve me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes po e pamundëson arkëtimin e parapagesës dhe disbursimin e këstit të parë për masat e zbatuara sipas kësaj marrëveshjeje dhe humbjen e një mundësie të rëndësishme për të rikthyer besimin e Bashkimit Evropian dhe qytetarëve në përkushtimin e institucioneve të vendit ndaj procesit të integrimit evropian”, theksoi Hasaj.
E vendi pritet të hyjë në vitin 2026 pa miratim të buxhetit. Por, nëse zgjedhjet mbahen në muajin dhjetor, sipas Ligjit për Menaxhimin e financave publike mund të bëhet zgjatje buxhetore për dy muajt e parë të vitit fiskal bazuar në atë të vitit paraprak.
Zgjatja edhe për muajin mars do të mund të bëhet vetëm me aprovim të Kuvendit të Kosovës.
Por, nga shoqëria civile u kanë bërë thirrje partive politike që të bashkëpunojnë e që vendi të mos rrezikojë të mbetet pa buxhet.
Profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj, u shpreh se Kuvend mund të shmangë kolapsin financiar ekonomik.
“Për zgjatje buxhetore ka ingerenca Kuvendi i Kosovës, në qoftë se nuk ka qeveri që të propozojë një zgjatje buxhetore për tre muaj, gjë që unë mendoj se do të ishte qasja më racionale tani për tani. Që atë zgjatje mund ta bëjnë edhe me propozimin e deputetëve. Do të duhet financim i përkohshëm, pasi ajo njihet si financim i përkohshëm dhe këtë autoritet e ka Kuvendi. Mund të thirret për një pikë të rendit të ditës sepse nuk është në kundërshtim as me Kushtetutën e as me Ligjin për menaxhimin e financave publike”, deklaroi Ramosaj.
Tash mbetet në dorë të presidentes së vendit nëse do të kërkojë nga deputetët e Kuvendit që të miratojnë zgjatjen e buxhetit për tre muajt e parë të vitit të ardhshëm, para shpërndarjes së Kuvendit.
KOHA ka kërkuar nga Presidenca përgjigje nëse do të kërkojë një gjë të tillë, por nuk ka marrë përgjigje të mërkurën.
Nëse deri në mars nuk themelohen institucionet e reja, arka e shtetit do të bllokohet, duke rrezikuar pagat për shërbyesit publikë, pensionet, shtesat për fëmijë, asistencën sociale, furnizimin me barna dhe funksionimin e organeve të rendit dhe të sigurisë.