Udhëheqësi i nismës ekonomike për Kosovën në Vjenë, Kujtim Dobruna, ka thënë se Kosova fiton nëse mbetet me qëndrimin refuzues që ka për iniciativën “Ballkani i Hapur”.
I ftuar në emisionin 60 Minuta të KTV-së, Dobruna ka thënë se me këtë qëndrim, Kosova do të vazhdojë të jetë e fokusuar në Procesin e Berlinit, i cili i ka mekanizmat e duhur për të ndihmuar secilin vend të përfshirë, në mënyrë të barabartë, për çka sipas tij, “Ballkani i Hapur” nuk ka as fonde të mjaftueshme për ta bërë.
“Kosova fiton shumë nëse mbetet kështu siç është sepse fokusi i saj do të jetë te Procesi i Berlinit. 'Ballkani i Hapur' nuk ka fonde për të ndihmuar vendet që i bashkëngjiten dhe të mbështesin sektorin privat e publik që të jetë në shërbim të qytetarit. Procesi i Berlinit i ka këto mekanizma sepse ndërlidhen investime të mëdha në infrastrukturë, në demokratizim, rend dhe ligj dhe ky proces është një pako me masa që i ndihmojnë barazi të gjitha shtetet e rajonit, duke mos lejuar një shtet që është më i fuqishëm ekonomikisht që të dëmtojë një tjetër vend”, ka thënë ai.
Dobruna ka thënë se kjo nismë nuk është iniciuar nga tri shtete, por është nismë kryekëput serbe që fillimisht është emërtuar si unioni doganor, më pas mini-schengen e krejt në fund 'Ballkan i Hapur'.
“Kjo rrjedh nga kancelaritë e Beogradit, është planifikuar atje dhe është çudi sesi Shqipëria i është bashkuar kësaj nisme të dëmshme që e dëmton Kosovën. Kosova këtu nuk trajtohet si e barabartë, por konsiderohet si krahinë e Serbisë dhe është e çuditshme se si Shqipëria pajtohet me këtë qasje. Serbia nuk ka ndryshuar asgjë, është ajo e vjetra që ka pretendime territoriale ndaj fqinjëve të saj”, ka shtuar ai.
Sipas tij, me jetësimin e kësaj nisme, qytetarët rusë lejohen të udhëtojnë për në Beograd dhe nga aty mund të lëvizin lirshëm nëpër tërë territorin e “Ballkanit të Hapur”, pasi lëvizja e tyre do të jetë e pakufizuar.
Edhe
Rama e Kovaçevski insistojnë ta mbajnë gjallë Ballkanin e Hapur
Dobruna ka thënë se Bashkimi Evropian e ka të qartë se integrimi i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllok është i pamundur dhe për këtë zyrtarët e BE-së në cilësinë e individëve përkrahin iniciativa të tilla.
“Ata kanë thënë qartazi që nuk tolerojnë iniciativa që bien në kundërshtim me Procesin e Berlinit, por sigurisht që ata duan të shohin nga afër se çka fshihet prapa këtyre zhvillimeve”, ka thënë ai.