Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dobra: Paga më e lartë në Kosovë është 20-fish më e madhe se ajo më e ulëta

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bardhyl Dobra, ka thënë se paga më e lartë në Kosovë aktualisht, në sektorin publik, është 20-fish më e madhe se paga më e ulët.

Dobra ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, se me Ligjin për Paga për të cilin tashmë ka përfunduar diskutimi publik dhe pritet të procedohet në Kuvend, do të krijohet barazi në aspektin e pagave.

Ai nuk ka specifikuar se kur mund të përfundojë në Kuvend Projektligji.

“Kemi një problem në Kosovë, i kemi ligjet ose shumë të detajuara, gjë që pastaj në praktikë shkaktojnë probleme serioze, ose nuk janë aspak të detajuara, dhe e gjejmë vetën në një situatë paradoksale me disa vendime për një çështje të njëjtë. Do të krijohet rregull, transparencë, do të krijohet barazi pasi sot paga më e lartë është 20 fish më e lartë se ajo më e ulëta”, ka thënë Dobra.

Ai ka shpjeguar se me Ligjin për Paga kjo diferencë e madhe ndërmjet pagës më të lartë dhe asaj më të ulët do të bie në pesë fish, ashtu siç e kërkojnë standardet evropiane.

“Nuk jemi fokusuar në rritjen e pagës së ministrit, jemi fokusuar që raporti i pagës më të lartë dhe më të ulët që ka qenë 20 fish ta kthejmë në pesë fish e që është praktikë evropiane. Ky vend ka nevojë për më shumë drejtësi. Është e pakuptimtë që një gjykatës i Gjykatës Themelore ta ketë pagën pesë fish më të lartë se një mjek specialist i cili bën shume vite studime”, është shprehur Dobra.

Edhe Dobra: Me ligjin e ri paga mesatare në sektorin publik do të rritet në 768 euro Arbëri Dobra: Me ligjin e ri paga mesatare në sektorin publik do të rritet në 768 euro

Sipas tij, paga e lartë nuk ka çdo herë ndikim në rritje të performancës.

“Kemi një situatë ku me një vendim të kryeministrit të atëhershëm ishin rritur pagat e kryeministrit dhe kabinetit qeveritar por në të njëjtën kohë janë rritur edhe pagat e gjyqësorit. Jo detyrimisht performanca është rritur me pagën, pasi te gjyqësori nuk kemi parë rritje të performancës”, ka thënë zëvendësministri Dobra.