Arbëri

Djegia e shkollës së parë shqipe në Ferizaj, Haliti: Dashakeqësit duan ndërtime të larta

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka thënë se djegia e shkollës së parë shqipe në Ferizaj, e shndërruar në gjimnaz, po bëhet me qëllim që objekti të bëhet i papërdorshëm dhe të fillohet me ndërtime të larta.

Haliti, që vjen nga Ferizaj, ka theksuar në “60 Minuta” të KTV-së se objekti që është pjesë e trashëgimisë kulturore ka qenë cak i shkatërrimit edhe dy herë të tjera.

“Nuk është hera e parë. Më 2017 po ashtu është synuar që të digjet dhe disa individë të ndërtojnë objekte shumëkatëshe. Më 2019 po ashtu është synuar të bëhet i papërdorshëm që të ndërtohen ndërtesa të larta. Por kësaj radhe dëmtime kanë qenë shumë më të mëdha. E gjithë pjesa e çatisë është dëmtuar në ditën e dytë kur ka nisur restaurimi”, ka thënë deputeti i VV-së, që ka shtuar se në të tria rastet qëllimi ka qenë i njëjtë.

Haliti ka thënë se zjarri ka nisur në orët e para të mëngjesit. Për shkak të djegies, siç thotë ai, do të rritet kostoja e projektit për restaurimin e kësaj shkolle.

“Shpresojmë që kompania që ka qenë duke kryer punimet, të vazhdojë punimet. Normalisht, do të rritet kostoja e projektit. Çatia ka qenë e shëndoshë para djegies, s’ka pas nevojë për intervenim. Tash do të jetë më vështirë se përpara. Fatmirësisht, muret janë të mbrojtura. Janë nga materiali që nuk ndizet”, ka thënë ai.

Haliti ka thënë se ka ngritur alarmin edhe më herët për tentimet për djegien e këtij objekti, por ka shtuar se këto thirrje janë neglizhuar nga ana e hetuesisë.

Shkolla e parë shqipe në Ferizaj, që ishte shndërruar në gjimnaz, është djegur në mëngjesin e së martës. Ky objekt është në mbrojtje të shtetit si trashëgimi kulturore.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar duke thënë se se djegia e shkollës së parë shqipe në Ferizaj është krim, e përgjegjësit, ka deklaruar se duhet të përballen me drejtësinë.