Arbëri

Dita e pestë: Vazhdon bllokada në Jarinjë, qytetarët kalojnë kufirin në këmbë

E qetë ka qenë edhe këtë të premte situata në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, në ditën e pestë të bllokadës. Kamionë e vetura kanë qëndruar në mes të rrugës që të çon drejt pikës kufitare me Serbinë, derisa prapa nuk janë tërhequr as protestuesit serbë.

Tash e pesë ditë në pikën kufitare në Jarinjë nuk ka kaluar asnjë mjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Bllokada e vënë nga serbët, po e pamundëson lëvizjen e veturave dhe mjeteve të tjera transportuese. Mundësia e vetme e kalimit të kufirit është në këmbë.

E numri i atyre që duhej të kalonin kufirin më këmbë nuk ishte i vogël, derisa puna në pikën kufitare vazhdonte normalisht.

Por, për situatën e krijuar nuk pranonin të deklaroheshin.

Disa kilometra në këmbë i bënin edhe protestuesit, të cilët gjatë të premtes zëvendësonin të tjerët, të cilët qëndruan gjatë natës.

Sikurse edhe ditëve të tjera, situata ishte e qetë.

Në vazhdimësi ajo monitorohej nga pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Të njëjtit, pas më shumë se 24 orësh në detyrë, u ndërruan nga kolegët e tyre.

Pak metra nga vendi ku ishte vendosur Njësia Speciale barrikada vazhdonte të qëndronte në vendin e njëjtë.

Kishte kamionë e vetura të vendosura në mes të rrugës e krahas tyre edhe protestues.

Gjatë të premtes në vendin ku janë duke qëndruar protestuesit e Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ishin edhe zyrtarë të EULEX-it, derisa për pak minuta situata është vëzhguar nga lart edhe nga KFOR-i.

E premtja shënon ditën e pestë të bllokadës në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë e Bërnjak, pas vendosjes së reciprocitetit për targat.