Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Diskutohet Evropa në epokën post-amerikane

Kryeredaktori i “Kohës Ditore”, Agron Bajrami, merr pjesë konferencën mediale “M100 Sanssouci Colloquium”, me pjesëmarrje të nivelit të lartë nga bota e politikës dhe e medieve, që mbahet të martën, më 18 shtator, në Potsdam të Gjermanisë.

“Të vetmuar në shtëpi? – Evropa në epokën post-amerikane”, është titulli i konferencës, e cila këtë vit mbahet në Muzeun Barberini, të Potsdamit.

Rreth 60 kryeredaktorë, historianë dhe politikanë nga shumica e vendeve evropiane dhe nga SHBA-ja do të diskutojnë gjendjen në marrëdhëniet trans-atlantike, agjendën evropiane në kohën e ndryshimeve të rolit global të SHBA-së, si dhe rolin e mediave në këto rrethana të reja.

Fjalën hapëse të konferencës do ta mbajë këshilltari politik dhe ish ambasadori amerikan John Kornblum, ndërsa Dietmar Woidke, kryeministri i Brandenburgut, do të ketë fjalën mikpritëse, thuhet në agjendën e organizatorit, M100 nga Berlini.

Në mesin e pjesëmarrësve, përveç kryeredaktorit të “Kohës Ditore” që është i vetmi nga Kosova, janë edhe Ruth Ben-Ghiat (historiane nga Universiteti i New Yorkut), Klaus Brinkbäumer, (kryeredaktor i javores gjermane Der Spiegel), Stephan-Andreas Casdorff (redaktor, Der Tagesspiegel), Liz Corbin (Shefe e Lajmeve, BBC World News), Rick Noack (Reporter i Politikës së Jashtme, The Washington Post), Natalie Nougayrède (anëtare e bordit editorial dhe kolumniste, The Guardian), si dhe shumë gazetarë dhe akademikë të tjerë evropianë dhe amerikanë.

Në kuadër të konferencës do të ndahet edhe Çmimi vjetor M100, të cilin këtë vit e ka fituar gazetari turk, Deniz Yucel, i cili ka kaluar kohë si i burgosur në Turqi pa asnjë akuzë dhe vetëm për shkak të raportimit të tij kritik.

Fjalimin kryesor politik, me rastit në ndarjen e çmimit do ta mbajë kryesuesi i partisë FDP, Christian Lindner.

Edhe Dy ura për librin e Kosovës në Leipzig dhe Washington Kulturë 4 muaj më parë Dy ura për librin e Kosovës në Leipzig dhe Washington

“Liria e gazetarëve është një indikator i lirisë së gjithë shoqërisë, si tërësi. Nëse puna e tyre kufizohet apo ata edhe burgosen, atëherë të gjithë janë të lidhur. Njerëzit e pushtetshëm mund të mos i pëlqejnë ato që gazetarët i shkruajnë apo dërgojnë. Por mbrojtja e tyre është detyrë e të gjithë përkrahësve të një shoqërie të hapur”, citohet të ketë thënë para konferencës Lindner, në lidhje me rëndësinë e lirisë së shtypit.

Në të kaluarën, fitues të çmimit ishin edhe Bernard Kouchner, Bob Geldof, Hans-Dietrich Genscher, Kurt Westergaard, Charlie Hebdo dhe Roberto Saviano.


* Foto nga konferenca e kaluar, e mbajtur në pallatin Sanssouci, në Potsdam