Arbëri

Disa kryetarë komunash “tradhtojnë” asociacionin e tyre

Pavarësisht thirrjeve të Asociacionit të Komunave të Kosovës që takimi me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, disa prej kryetarëve morën pjesë. Në takimin e mbajtur të premten, me ministrin e Shëndetësisë Rifat Latifi, e atij të MAPL-së, Elbert Krasniqi, temë diskutimi ishin pandemia e vaksinat.

Në të u paraqitën vlerësime të situatës epidemiologjike derisa komunave iu kërkua fuqizim i zbatimit të masave antiCovid, u bë e ditur më pas nga njoftime të të dy ministrive.

“Ministri Latifi theksoi se në përputhje me rekomandimet e IKShPK-së dhe ekspertëve shëndetësor jemi duke vlerësuar në vazhdimësi situatën epidemiologjike dhe kërkoi mbështetjen dhe angazhimin e komunave në fuqizimin e zbatimit të masave, pasi që krahas vaksinimit mbeten mjetet e vetme në frenimin e pandemisë, dhe evitimin e mbylljes totale, kështu evitimin e mbingarkesës spitalore dhe mbylljes së veprimtarive ekonomike dhe shkollave”, thuhet në njoftimin e MSh-së e MAPL-së.

Por, aty munguan përfaqësuesit e AKK-së, për shkak se nuk kishin pranuar ftesë. Sipas kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, MAPL-ja i kishte injoruar edhe më parë.

“Kryetarët e komunave në diskutimin e mbrëmshëm që kemi pasur për shkak që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal jo vetëm këtë herë, por disa herë e kanë injoruar ftesën ndaj nuk e ka ftuar Asociacionin e Komunave të Kosovës si përfaqësues legjitim dhe mekanizëm, i cili i kanalizon kërkesat e komunave ndaj nivelit qendror, në shenjë pakënaqësie kanë bërë ftesë që të mos marrin pjesë në takimin, i cili sot mbahet të cilin e ka organizuar ministri Albert Krasniqi”, tha ai.

Sipas Ibrahimit, kryetarët e komunave nuk janë konsultuar as për amendamentimin e Ligjit mbi vetëqeverisjen lokale, e që sipas, tij kjo është edhe një arsye për mosprezencën e tyre në takim. Ai tutje i ka shpalosur kërkesat e AKK-së sa u përket masave antiCOVID.

“Në anën tjetër, kërkesat e Asociacionit të Komunave të Kosovës sa u përket masave janë që njëherë e përgjithmonë të hiqet ora policore, sepse nuk është në proporcion me situatën në teren”, është shprehur Ibrahimi.

E nga kryetarët e paktë pjesëmarrës në takim u bënë të ditura kërkesat e paraqitura.

Por, në mëngjes në faqen zyrtare të AKK-së, ishte thënë se u është bërë thirrje kryetarëve të komunave të mos marrin pjesë në takim. “Mosftesa për Asociacionin e Komunave të Kosovës bëhet me qëllime përçarëse në mes AKK dhe Kryetarëve. Kryetarët e Komunave vlerësojnë se uniteti i Kryetarëve është i domosdoshëm dhe që të gjithë Kryetarët do të mbeten të bashkuar si pushtet lokal që të ruhet ajo që është ndërtuar për më shumë se dy dekada në përfaqësimin e denjë të qeverisjes lokale ndaj nivelit qendror” thuhej në njoftimin e AKK-së.

Shpejtim Bulliqi, kryetar i Podujevës, nëpërmjet Facebookut, tregoi se ka ngritur shqetësim rreth gastronomeve dhe ka kërkuar koordinim mes institucioneve, për masat në kohën kur edhe shumë bashkatdhetarë vijnë në Kosovë. “Ngrita shqetësimet edhe për gastronomet dhe kërkova nga ministritë përkatëse që seriozisht t’i shqyrtojnë kërkesat e tyre. Gjithashtu, kërkova koordinim edhe më të madh institucional në respektimin e masave, sidomos në javët që vijnë, pasi që shumë bashkatdhetarë vijnë për festat e fund vitit në vendlindje dhe të kujdesemi për shëndetin e të gjithëve” ka shkruar Bulliqi, në rrjetin e tij social.

Disa orë më vonë u mbajt edhe një takim tjetër në lidhje me situatën me pandeminë. Mbrëmjen e së premtes u mbajt takimi i komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës lidhur me COVID-19. Aty pjesëmarrës ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në këtë takim u vlerësua se situata epidemiologjike sa i përket COVID-19 në Kosovë është e qetë, derisa Kurti tha se lehtësimi i masave është i lidhur me zbatimin e masave që janë në fuqi.

Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë, u tha se “kryeministri tërhoqi vërejtjen se prania e variantit Omicron të SARS COV-2 në shtete të ndryshme dhe mosrespektimi me përpikëri i masave në fuqi mund t’i përmbysë të arriturat e deritanishme në luftën kundër COVID-19”.

Ditët e fundit është shtuar presioni për lirimin e masave antiCOVID, me arsyetimin e ardhjes së mërgimtarëve për festa të fundvitit.