Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Dialogu me Kosovën”, temë e takimit Blinken-Vuçiq

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është takuar të premten me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Mynih në margjinat e Konferencës së Sigurisë. Kryetemë ishte dialogu me Kosovën.

Blinkeni e ka cilësuar si “bisedë produktive” takimin me Vuçiqin në një njoftim në Twitter.

“Pata një bisedë produktive me presidentin serb Aleksandar Vuçiq sot në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Diskutuam rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe përçova vlerësimin tonë për mbështetjen e vazhdueshme të Serbisë për Ukrainën”, ka shkruar Blinken, duke shtuar se ndajnë të njëjtat dëshira për të ardhmen e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Albin Kurti gjithashtu do të jetë pjesëmarrës në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku është paralajmëruar se do të ketë disa takime me liderë shtetërorë dhe përfaqësues institucionesh, pjesëmarrës në këtë konferencë.

Sipas agjendës së publikuar, edhe presidentja Vjosa Osmani do të jetë pjesëmarrëse.

Kurti pritet të takohet me Vuçiqin në Bruksel më 27 shkurt.

 

Artikuj të ngjashëm