Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dialogu Kosovë-Serbi, ndërmjet ndryshimeve politike dhe zgjedhjeve të reja

Ekzistojnë gjasa krejtësisht të pakta që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve të mund të vazhdojë së shpejti, qoftë për shkak të situatës aktuale në Kosovë dhe zgjedhjeve që pritet të mbahen në Serbi, qoftë për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fund të vitit të ardhshëm, është thënë të martën, në panelin e diskutimit të Forumit për Zhvillim dhe bashkëpunim shumëetnik, në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, të partive politike dhe shoqërisë civile.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj, ka vendosur taksën prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia, për shkak të, siç ishte thënë atëherë, politikës destruktive të kësaj të fundit ndaj Kosovës.

Për këtë shkak, Serbia nuk ka pranuar më që të kthehet në tavolinën e bisedimeve, ndërkaq që Kosova ka refuzuar të heqë taksën.

Një vit më vonë, dialogu ende nuk ka rifilluar. Në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe pritet që partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin, të formojë qeverinë e re.

Ndërkohë, në krye të Bashkimit Evropian ka ardhur udhëheqja e re, ndërkaq që ndërmjetësuesen e deritashme në dialog, Federica Mogherinin, më 1 dhjetor e ka zëvendësuar spanjolli Josep Borell. Ndërkaq, vitin e ardhshëm, Serbinë e presin zgjedhjet parlamentare.

"A jemi në rrugën e duhur dhe si të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën dritën e vazhdimit potencial të dialogut dhe formimit të Qeverisë së re të Kosovës?”, ka qenë tema e panelit diskutues të mbajtur të martën në Prishtinë.

Edhe Kolumne Dialogu gjithmonë në pritje të zgjedhjeve

Ardian Arifaj, këshilltar politik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar që me gjithë përpjekjet për vazhdimin e dialogut, kjo nuk ka ndodhur. Sipas tij, tashmë pritet që të shihen se cilat janë prioritetet e udhëheqjes së re të BE-së. Ai ka theksuar se edhe zgjedhjet në Serbi, por edhe Shtetet në Bashkuara të Amerikës, do të jenë sfida.

Branimir Stojanoviq nga Lista Serbe ka theksuar që ndërprerja e dialogut ka ndikuar që tensionet, që dikur ishin të pranishme ndërmjet dy palëve në zyrat e BE-së, tashmë të barten edhe në medie, por që gjithashtu, kjo ndërprerje e dialogut ka ndikuar edhe në një periudhë të jostabilitetit.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë.