Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se Inspektorati i Arsimit e ka inspektuar institucionin parashkollor “Nina” në Mitrovicë, pas konfirmimit se një edukatore ka ushtruar dhunë ndaj një fëmije.
Ajo është zotuar se Ministria “do të jetë e pakompromis ndaj çfarëdo forme të dhunës ndaj fëmijëve”.
“Dhuna është e patolerueshme dhe e dënueshme. Me keqardhje kemi pranuar lajmin për rastin e ndodhur në një Kopsht privat në Mitrovicë, për dhunën e ushtruar ndaj një fëmije nga një edukatore e këtij kopshti. Menjëherë pas pranimit të informatës, Inspektorati i Arsimit e ka inspektuar këtë institucion parashkollor dhe është informuar se edukatores në fjalë i është ndërprerë marrëdhënia e punës. Sipas legjislacionit në fuqi dhuna është e dënueshme dhe rasti tashmë është denoncuar edhe në organet e hetuesisë”, ka shkruar ajo në Facebook të mërkurën, pak orë pasi ky kopsht konfirmoi rastin.
Në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës kanë thënë se rasti është cilësuar si “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.