Sot është dita ndërkombëtare e shëndetit oral. Me këtë rast, dentisti i njohur i fëmijëve, Xheladin Ujkani, nga përvoja e suksesshme gjatë punës me fëmijë, jep disa këshilla për prindërit:
- Me daljen e dhëmbit të parë të qumështit, rreth muajit të gjashtë, prindërit duhet të fillojnë kujdesin ndaj dhëmbëve tek fëmijët e tyre, duke ua pastruar ata me gazë sterile dhe çaj kamomil, pa sheqer;
- Pas moshës një vjeçare, prindërit duhet të fillojnë pastrimin e dhëmbëve tek fëmijët e tyre me brushë dhe pastë. Patjetër, pastrimin e dhëmbëve ta bëjnë së bashku;
- Prindërit duhet t’i edukojnë fëmijët në mënyrë që dhëmbët t’i pastrojnë në mëngjes, gjatë ditës sipas nevojës dhe në mbrëmje para gjumit;
- Prindërit duhet t’i edukojnë fëmijët në mënyrë që gjatë pastrimit të dhëmbëve të shkojnë deri në fund të harqeve, duke pastruar të gjithë dhëmbët, të gjitha sipërfaqet;
- Prindërit duhet t’i edukojnë fëmijët në mënyrë që ata të largohen sa më shumë nga ushqimet që përmbajnë shumë sheqer, krip, piper e po ashtu edhe nga pijet e gazuara dhe të ushqehen sa më shumë me produkte të qumështit, ujë, çaj kamomil, pemë dhe perime të freskëta;
- Prindërit duhet t’i përgatisin paraprakisht fëmijët e tyre për vizitën e parë te dentisti. Vizita e parë te dentisti duhet të bëhet rreth moshës dy-tre vjeçare dhe kjo të ndodhë edhe në rastet kur të gjithë dhëmbët janë të shëndoshë. Prindërit duhet të jenë ndërmjetësues në krijimin e raporteve miqësore në mes të fëmijëve të tyre dhe dentistëve;
- Prindërit duhet ta dinë se dhëmbët e qumështit kompletohen rreth moshës tre vjeçare dhe janë 20 dhëmbë në numër, dhjetë në nofullën e sipërme dhe dhjetë në nofullën e poshtme. Pas kësaj moshe, të gjithë dhëmbët që dalin, janë dhëmbë të përhershëm;
- Trajtimi i dhëmbëve të qumështit mund të kryhet pa dhimbje dhe pa anestezion;
- Prindërit duhet ta dinë se nxjerrja e dhëmbëve të qumështit nuk shkakton dhimbje tek fëmijët;
- Prindërit duhet ta dinë se dhëmbët e parë të përhershëm dalin rreth moshës gjashtë vjeçare në fund të harqeve të dhëmbëve të qumështit, lart dhe poshtë.
Në vazhdim gjeni këngën “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”.
Artikuj të ngjashëm
-
Dhjetë këshillat e dentistit Xheladin Ujkani për prindërit
-
Kujdesi për dhëmbët e fëmijëve në kohën e izolimit
-
Mosha mesatare e fëmijëve në Kosovë, kur për herë të parë vizitojnë dentistin – 5 vjeç
-
Fëmijët janë të guximshëm, nxjerrin dhëmbët e tyre pa ndihmën e dentistit
-
Dhëmbë të shëndetshëm qysh nga fëmijëria, si të kujdesemi?