Arbëri

Opozita kërkon nga Haradinaj e Bytyqi mos të ndërhyjnë në procesin e akreditimit

Ka dështuar mbledhja e Komisionit parlamentar për Arsim e thirrur nga Partia Socialdemokrate.

Aty pritej të diskutohej për vendimin e Bordit të Agjencisë së Akreditimit për mbylljen e 3 universiteteve publike dhe 4 kolegjeve private, raporton KTV.

Në mbledhje ishin vetëm deputetët e opozitës, Arbërie Nagavci nga Vetëvendosja, Driton Çaushi nga PSD-ja dhe Valentina Bunjaku-Rexhepi LDK-ja.

Kryetari i Komisionit Ismail Kurteshi tha se është e pamundur të mbahet mbledhja e komisionit meqë në sallën e mbledhjes të pranishëm ishin vetëm 4 deputetë.

“Po paralajmëroj që një mbledhje tjetër do ta mbajmë të hënën ku do ta ftojmë edhe ministrin e Arsimit", tha Kurteshi.

E pas dështimi të mbledhjes, Kurteshi e anëtarët tjerë folën para mediave.

Kurteshi tha se pas vendimit të bordit të agjencisë së akreditimit për mbylljen e 3 universiteteve ka pasur reagime të shumta.

“Mendoj se bordi është i pavarur dhe ka të drejtë të merr vendime bazuar në legjislacionin në fuqi. Ky bord vetëm se duhet t’i bëjë publike raportet e ekspertëve të vet ku do të mbështetej edhe vendimi i tyre. Deklaratat politike si ajo e kryeministrit dhe ministrit të Arsimit janë të dëmshme dhe vetëm e dëmtojnë procesin. Kush mendon se nuk janë zbatuar procedurat, mund ta kontestojnë vendimin në gjykatë e jo të dalin me deklarime të tilla. Politika ka pasur rastin që të kontribuojë që arsimi të mos vijë në këtë situatë duke investuar në këtë sektor dhe edhe në këto universitete të vazhdojë rrjedha normale e studimeve”, tha Kurteshi.

E deputetja nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, tha se kryeministri dhe ministri i Arsimit nuk duhet të ndërhyjnë në këtë proces.

“Nuk duhet të ndërhyjnë sepse pikërisht për vendimin e mëhershëm të kryeministrit Kosova është përjashtuar nga EQARI. Ta lëmë agjencinë e akreditimit ta bëjë punën e vet. Ne si LDK nuk anojmë as nga kryeministri e as nga bordi i agjencisë por këto universitete të mund të akreditohen dhe studentët t’i kryejnë studimet në komunën e tyre. Ne si LDK ashpër e dënojmë ndërhyrjen e kryeministrit dhe ministrit”, tha ajo, raporton KTV.

Deputetja Nagavci nga Vetëvendosja tha se ndikimet e tilla do ta dëmtojnë më tutje procesin.

“Të rinjve tanë mund të mos u mundësohen studimet në vende të ndryshme të botës. Kërkoj nga kryeministri të sqarojë deklaratën e tij se anëtarët e bordit janë mercenarë e mafiozë”, tha ajo.

Ndërkaq, Çaushi nga PSD-ja, tha se “fatkeqësisht përveç anëtarëve nga opozita nuk kishte anëtarë të pozitës në mbledhje”.

“Agjencia e Akreditimit me këtë vendim ka dhënë një sinjal për rregullim të çështjes arsimore. Ne kemi diskutuar edhe për mundësinë që ministri e kryeministri të vijnë para komisionit për të diskutuar për këtë çështje”, tha ai.