Ka vdekur përfundimisht projekti për ndërtimin e lagjes në Badovc, që bëri bujë të madhe në fillim të vitit 2020.
Kuvendi Komunal i Prishtinës të hënën ka marrë vendim për shpronësimin e tokave rreth Liqenit të Badovcit ku ishin planifikuar ndërtime të vilave nga “KAWA GROUP” dhe kompania “4m Group” që udhëhiqet nga kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama.
Me 20 vota për, 1 kundër dhe 5 abstenime u miratua propozim-vendimi për këmbimin e pronave të Shaban Kongjelit dhe Rahman Haradinit, të cilët kanë paraqitur kërkesë për shpronësim pasi iu është mohuar e drejta për investime në tokën e tyre.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se këmbimi i pronave rreth zonës 1 dhe 2 do të bëhet edhe për pronarët tjerë që paraqesin kërkesa.
“Ministria na kanë thënë se tashmë duhet t’i shpronësoni. Ua kemi bërë një vlerësim krejt pronave në zonave 1 dhe 2, nuk kemi buxhet për t’ia blerë do të mundohemi t’i këmbejmë me prona tjera për secilën palë që vjen për këmbim. Deri më tani i kemi dy kërkesa. Me këtë e zgjedhim një problem të madh që prej sot e shtune, e 700 vjet ndërtim rreth Badovcit të mos ketë. Po flas për zonat 1 dhe 2 që janë në Komunën e Prishtinës, sepse është edhe një pjesë e Graçanicës që është rreth Badovcit, por pas këtyre dy pronave do të mbesin shumë pak prona të cilat janë private”, ka thënë Ahmeti.
Këmbimi i këtyre pronave do të bëhet me ato jashtë zonës 1,2 dhe 3 të Badovcit, dhe për vlerësim të tyre do të merret Ministria e Financave.
Drejtori i Planifikimit Strategjik, Genc Bashota, thotë se Badovci do të mbetet zonë e mbrojtur.
“Kjo edhe ishte arsyeja e këmbimeve të pronave në zonën 1 dhe 2, në mbledhjen e së hënës në mënyrë që të zbatohet vendimi paraprak i Kuvendit Komunal për zonën e mbrojtur rreth Badovcit, gjë e cila e pamundëson çfarëdo ndërtimi në atë zonë në të ardhmen”, është shprehur Bashota.
Këtij lajmi i është gëzuar shumë grupi për mbrojtjen e mjedisit dhe ujërave, i cili e kishte kundërshtuar fuqishëm ndërtimin rreth liqenit të Badovcit.
Komuna e Prishtinës kishte aprovuar këtë projekt, por më vonë ishte anuluar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.