Presidenca Gjermane e BE-së pritet të përfundojë me një dështim spektakular, së paku në procesin e zgjerimit.
As një vendim i vetëm pozitiv për zgjerimin nuk ka kaluar gjatë kësaj presidence. Liberalizimi i vizave për Kosovën ka dështuar dhe, sipas burimeve diplomatike “mbështetja publike e Gjermanisë nuk është shndërruar në ndonjë angazhim të madh në Bruksel”.
Diplomatët evropianë pohojnë se “Presidenca Gjermane është e frustruar” për shkak të dështimit në temat e zgjerimit, sidomos për mungesë të konsensusit për të kaluar vendimin për miratimin e Kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Një diplomat i lartë evropian pranoi se Bullgaria ka bllokuar këtë vendim për shkak të “çështjeve bilaterale historike të cilat nuk e kanë vendin në procesin e zgjerimit”. Ai ka thënë se, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, nuk është arritur të hiqet bllokada bullgare.
“Pasi nuk ka pasur mundësi të miratohet vendimi për Bullgarinë, atëherë nuk kemi mundur të avancojmë as me dosjen e Shqipërisë. Sepse ka shtetet që thonë se, nëse nuk merret vendimi për Maqedoninë e veriut nuk mund të diskutohet as Shqipëria”, ka thënë një diplomat i lartë i BE-së, duke folur me gazetarë me kusht që të mbetet anonim.
Dështimi i Presidencës Gjermane është aq i madh saqë duket se nuk do të arrijë ta shtyjë as miratimin e Konkluzave të Këshillit për zgjerim dhe Proces te stabilizim asocimit, drafti i së cilave është përgatitur nga Presidenca Gjermane qysh në fillim të javës së shkuar. Edhe këto janë në “procedurë me shkrim” në Këshill, por nuk duhet fati i tyre, a do të miratohen apo jo.
Procesi i zgjerimit nuk pritet të jetë fare në agjendë në takimin e shefave të shteteve apo qeverive të BE-së në Bruksel të enjten dhe të premten për shkak të “agjendës së ngjeshur”. Por, thonë burimet diplomatike, “ndonjë lider mund ta ngre në diskutim këtë çështje”.
e kuptueshme se BE-ja në këtë moment përballet me tri tema shumë më të vështira sesa zgjerimit: Tentimi për një marrëveshje në momentin e fundit për raportet me Britaninë e Madhe pas Brexitit, tentimi në momentin e fundit për Kornizën shumëvjeçare financiare dhe fondit për rimëkëmbje, strategjinë e vazhdimit të luftës kundër pandemisë dhe planet për vaksinim. Por një shtet i madh, me struktura çfarë ka Gjermania, të dështoj në këtë mënyrë në procesin e zgjerimit është vërtetë frustruese jo vetëm për të, por edhe për shumë të tjerë. Ketë mendim e ndajnë edhe shumë diplomatë evropianë të cilët kanë shpresuar deri në momentin e fundit se Gjermania do të arrijë sukses në ketë drejtim.