Arbëri

Dështim i madh i Gjermanisë në zgjerimin e BE-së

Të martën, takohet Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, ndërsa të enjten dhe të premten në Bruksel zhvillohet samiti i shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare. Ata nuk do të diskutojnë për procesin e zgjerimit kësaj radhe. Deri më tash ka qenë zakon që në fund të vitit së paku “të marrin në dijeni” konkluzionet që përgatiten për procesin e zgjerimit dhe atë të stabilizim-asociimit. Ky proces, pikërisht gjatë Presidencës gjermane, në vend të avancimit, ka hasur në pengesa të reja dhe në dështime të reja.

Presidenca gjermane e Bashkimit Evropian kështu do të përfundojë më 31 dhjetor pa ndonjë rezultat në procesin e zgjerimit. Diplomatët në Bruksel kanë thënë se Gjermania është e frustruar për shkak të mungesës së rezultateve në procesin e zgjerimit, përkundër përpjekjeve të saj. Por, ka edhe diplomatë të cilët thonë se “Gjermania ka mundur të angazhohej pak më shumë”.

Në fillim të Presidencës gjermane pritjet ishin të mëdha, ndonëse diplomatë gjermanë tërhiqnin vërejtjen që të mos krijohen pritje të tilla pasi, në rast të mungesës së rezultateve, dëshpërimi do të jetë më i madh.

Por, pakkush ka pritur që Gjermania të mos jetë në gjendje as të shtyjë së paku miratimin e konkluzioneve të përgjithësuara të cilat edhe ashtu nuk e obligojnë BE-në për asgjë konkrete. Kështu, Presidenca gjermane e BE-së pritet të përfundojë me një dështim spektakular, së paku në procesin e zgjerimit. As një vendim i vetëm pozitiv për zgjerimin nuk ka kaluar gjatë kësaj presidence. Liberalizimi i vizave për Kosovën ka dështuar dhe, sipas burimeve diplomatike “mbështetja publike e Gjermanisë nuk është shndërruar në ndonjë angazhim të madh në Bruksel”.

Diplomatët evropianë pohojnë se “Presidenca gjermane është e frustruar” për shkak të dështimit në temat e zgjerimit, sidomos për mungesë të konsensusit për ta kaluar vendimin për miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Një diplomat i lartë evropian pranoi se Bullgaria ka bllokuar këtë vendim për shkak të “çështjeve bilaterale historike, të cilat nuk e kanë vendin në procesin e zgjerimit. Ai ka thënë se, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, nuk është arritur të hiqet bllokada bullgare.

“Pasi nuk ka pasur mundësi të miratohet vendimi për Bullgarinë, atëherë nuk kemi mundur të avancojmë as me dosjen e Shqipërisë. Sepse ka shtete që thonë se nëse nuk merret vendimi për Maqedoninë e Veriut nuk mund të diskutohet as Shqipëria”, ka thënë një diplomat i lartë i BE-së, duke folur me gazetarë me kusht që të mbetet anonim.

Dështimi i Presidencës gjermane është aq i madh saqë duket se nuk do të arrijë ta shtyjë as miratimin e konkluzave të Këshillit për zgjerim dhe proces të stabilizim-asociimit, drafti i të cilave është përgatitur nga Presidenca gjermane qysh në fillim të javës së shkuar. Edhe këto janë në “procedurë me shkrim” në Këshill, por nuk dihet fati i tyre, a do të miratohen apo jo.

Procesi i zgjerimit nuk pritet të jetë fare në agjendë në takimin e shefave të shteteve apo qeverive të BE-së në Bruksel, të enjten dhe të premten për shkak të “agjendës së ngjeshur”. Por, thonë burimet diplomatike, “ndonjë lider mund ta ngrejë në diskutim këtë çështje”.

Është e kuptueshme se BE-ja në këtë moment përballet me tri tema shumë më të vështira, sesa të zgjerimit: Tentimi për një marrëveshje në momentin e fundit për raportet me Britaninë e Madhe pas Brexit-it, tentimi në momentin e fundit për Kornizën shumëvjeçare financiare dhe fondit për rimëkëmbje, Strategjinë e vazhdimit të luftës kundër pandemisë dhe planet për vaksinim. Por një shtet i madh, me struktura çfarë ka Gjermania, të dështojë në këtë mënyrë në procesin e zgjerimit është vërtet frustruese jo vetëm për ta, por edhe për shumë të tjerë. Këtë mendim e ndajnë edhe shumë diplomatë evropianë, të cilët kanë shpresuar deri në momentin e fundit se Gjermania do të arrijë sukses në ketë drejtim. Por një diplomat i lartë evropian pranoi se ai “nuk sheh dritë në fund të tunelit”, dhe se gjasat që diçka konkrete të arrihet deri në fund të vitit janë të vogla.