Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dështaku i Vitit – Kadri Veseli

Koalicioni i mega-qeverisë që Kadri Veseli e udhëhiqte ka parë çarje të mëdha qysh në fillim të vitit 2019, kur bashkësia ndërkombëtare nisi të kërkojë heqjen e taksës që Haradinaj e vuri ndaj mallrave serbe.

Veseli u raportua të ketë sulmuar kryeministrin e Kosovës në takime me ndërkombëtarët për shkak të kokëfortësisë së tij. Pa ia kërkuar askush, provoi ta marrë rolin e prijësit për të ruajtur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, raporton KTV.

Drejtimin e Kuvendit e vazhdoi me përplasje të ashpra me opozitën, dhe madje në një rast i pyeti kolegët nëse janë normal.

Në pjesën e parë të vitit tha se do të pastronte partinë e tij nga të gjithë ata që kishin aktakuza për korrupsion e nepotizëm. Në këtë mënyrë, e largoi nga posti i ministrit Besim Beqajn për shkak të rastit Pronto.

Ai dhe PDK-ja u zunë në befasi totale, kur një ditë të bukur korriku njeriu që këta e bënë kryeministër , Ramush Haradinaj dha dorëheqje dhe efektivisht e rrëzoi qeverinë, duke e çuar vendin në zgjedhje. Kjo ishte hera e parë pas pavarësisë që PDK-ja nuk pati asnjë rol për të rrëzuar qeverinë pjesë e së cilës ishte. Pasi nga frika e humbjes së pushtetit, në vitin 2017 ia dha nominimin Haradianjt, këtë herë Veseli nuk pati asnjë dilemë – do të kërkonte sërish të bëhej kryeministër. Kauza e tij, me të cilën qeshi i madh dhe i vogël ishte se do të bëhej kampion i luftimit të korrupsionit dhe nepotizmit. E thënë kjo nga lideri i partisë që në raporte vendore e ndërkombëtare vazhdimisht u identifikua për instalim të korrupsionit në organet shtetërore. Në kulmin e fushatës në të cilën PDK-ja zakonisht shpenzon shumë duke sjellë ekspertë nga jashtë, Veseli e solli edhe një amerikan. “Njeriu i Trumpit vjen në përkrahje të Veselit”, bërtitën mediat e afërta me PDK-në, por Matthew Whitaker shërbeu vetëm 2 muaj e gjysmë si ushtrues detyre i Prokurorit të Përgjithshëm. E mbi të gjitha, Whitaker kishte pasur një sërë problemesh me drejtësinë, duke qenë pjesë e një kompanie mashtruese që la pa pensione miliona veteranë. Dhe, amerikani nuk i ndezi Veselit i cili natën e 6 tetorit e çoi për herë të parë partinë e tij, PDK në opozitë qysh prej vitit 2007.

Në këtë mënyrë, obsesioni i tij për t’u bërë kryeministër, qysh prej daljes nga nëntoka, mori goditje të rëndë. Me të në krye, PDK-ja u rendit në vendin e tretë dhe tani Veseli do të ulëset në pjesën e humbësve të Kuvendit të Kosovës, por do të marrë epitetin që nuk e donte – lider i opozitës.