Sytrime Dervisholli, udhëheqëse e Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në “Express Intervistën” sot ka treguar se Kosova është në fazën finale të përgatitjes së aplikacionit për pranim në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).
Ajo ka konfirmuar se kanë marrë edhe përkrahjen e ndërkombëtarëve nëse Kosova aplikon për të marrë statusin e vëzhguesit, rrugë të cilën sipas saj e kanë ndjekur të gjitha shtetet para se të anëtarësoheshin në këtë organizatë të rëndësishme.
“Qeveria është në përgatitje e sipër për dorëzimin e aplikacionit për pranim në OBT. Aspekti politik ka vështirësuar fillimin e procedurës për anëtarësim dhe Qeveria është duke i shqyrtuar të gjitha opsionet dhe një takim së fundmi në Bruksel na është bërë e ditur se nëse Kosova aplikon me statusin e vëzhguesit atëherë do ta ketë përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë Dervisholli.
Dervisholli ka thënë se pengesë për Kosovën vazhdojnë të jenë shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.
“Së pari duhet të ketë gatishmëri nga Qeveria e kosovës që të anëtarësohet në OBT. Vështirësitë si edhe në të kaluarën edhe tani por edhe në të ardhmen do të ketë për shkak të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, siç janë Kina e Rusia. Konsideroj se kemi humbur kohë, pasi kjo është organizatë që i rregullon të gjitha marrëveshje tregtare botërore, atë CEFTA-së, MSA-së etj. Prandaj sa më parë që të pranohet Kosova do të ishte shumë mirë për importin dhe eksportin në Kosovë”, është shprehur ajo.
Edhe
Taksa dhe zgjedhjet, pengesë për aplikim në OBT
Sipas saj sektori i shërbimeve është një nga sektorët që po avancohet furishëm, dhe për dallim nga sektori i financave po rritet shumë.
“Kosova do të mund të ofronte shërbime të IT-së, të konsulencës etj. Padyshim edhe shërbimet e ndërtimit në të cilën Kosova është duke u treguar shumë produktive. Ministria e Tregtisë ka pasur disa projekte të mira sa i përket certifikimit të produkteve për të përgatitur edhe për tregun ndërkombëtar”, ka thënë Dervisholli në “Express Intervistën” në KTV.
Ajo thotë se vendimi për qumështarët duhet të aprovohet në Qeveri e më pas të vazhdohet me procedurat e tjera.
“Gjatë ditëve të ardhshme vendimi do të dërgohet në Qeveri dhe më pas do të vazhdohet me aplikim. Shpresoj se së shpejti do të hyjë në fuqi ky vendim. Kemi parë se ka një rritje të importit dhe ulje të prodhimit vendor të qumështit. Në bazë të atyre që kemi vërejtur situata nuk qëndron mirë. Bosnja ka rritur prezencën e saj në tregun e Kosovës në dy muajt e fundit, që është e madhe. Të dhënat e vitit 2017 krahasim me 2016 kemi 36 për qind të rritjes, dhe për këtë duhet të parandalohet”, ka thënë ajo.
Edhe
Rukiqi: Kosovën e pret rrugë e vështirë drejt anëtarësimit në OBT
Ajo shton se Republika e Kosovës ka marrë kryesimin e CEFTA-së më 1 janar, me ç’rast thotë se, “kemi arritur që shumë çështje t’i fusim në diskutim. Sot ka qenë takimi i nivelit vendimmarrës ku është miratuar puna për gjashtë muaj”.
“Kemi aprovuar protokollin, e cila bën që shtetet të shkëmbejnë dokumentet ndërmjet tyre, e që nuk është e lehtë për shkak të logove. Ne e dimë se UNMIKU kishte nënshkruar më 2006 në emër të Kosovës me CEFTA-n, por tani Kosova përfaqësohet si shtet, e jo nga UNMIKU, që megjithatë në formë juridike vazhdon të jetë aty. Ne po kryesojmë suksesshëm dhe kemi vërtetuar se mund të funksionojmë edhe pa ndonjë organizatë të tillë”, ka thënë Dervisholli.