Arbëri

Deri në 40 gradë Celsius sot

vapa

Deri në 40 gradë Celsius parashihen temperaturat sot.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, të shtunën priten vranësira të pakta.

Vranësirat do të dendësohen dhe vende-vende parashihen të sjellin riga shiu të përcjella me stuhi lokale .

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 16-20°C, ndërsa ato maksimale pritet të jenë ndërmjet 36- 40°C. 

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka publikuar udhëzime për mbrojtje nga të nxehtit dhe temperaturat e larta. Sipas tij, periudhat e gjata me temperatura të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres në trup dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve apo vdekjeve nga ekspozimi ndaj nxehtësisë.

Veprimet që duhet të ndërmerren për t’u mbrojtur:

Qëndroni larg të nxehtit: Shmangni daljet dhe aktivitetet e rënda gjatë orëve më të nxehta. Qëndroni në hije dhe kaloni 2-3 orë në një vend të freskët.

Mbajeni trupin të freskët dhe të hidratuar: Përdorni veshje të lehta (pambuku), bëni dush të freskët, lagni lëkurën dhe pini ujë rregullisht (1 gotë/orë – 2-3 litra/ditë).

Mbajeni shtëpinë të freskët: Ajroseni gjatë natës kur jashtë është më freskët. Ditën mbyllni dritaret dhe përdorni perde për të penguar rrezet e diellit.

Kujdesi për grupet e cenueshme:

Për të moshuarit mbi 65 vjeç: Kontaktoni rregullisht sidomos ata me sëmundje kronike, aftësi të kufizuar apo që jetojnë vetëm.

Për fëmijët: 🚫 Mos i lini kurrë në automjete të parkuara. Shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta (10:00–17:00).

Në rast emergjence: Kontaktoni mjekun më të afërt ose telefononi 194.