Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dërguti thotë se Qeveria rrëzohet me bashkim të opozitës, jo me injorime

Aida Dërguti, deputete e PSD-së, ka thënë se me mënyrën se si po funksionon opozita në Kuvendin e Kosovës, nuk mund të rrëzohet qeveria.

Ajo ka kritikuar dy partitë tjera opozitare, LDK-në dhe Vetëvendosjen, për “injorimin” ndaj PSD-së. Sipas saj, po të vazhdohet me këtë injorim, nuk mund të bëhet asgjë për rrëzimin e qeverisë. Në Interaktiv të KTV-së, Dërguti ka thënë se opozita mund të bëjë shumë më shumë në Kuvend, duke marrë parasysh se i ka 58 ulëse.

“Nuk janë domosdoshmërish numrat, por strategjia dhe sinqeriteti se ku duam të shkojmë e rezultati që duam të arrijmë. Deri tash s’kemi pasur ftesë për t’u ulur. Mendoj se i takon LDK-së siç e kemi pasur ne në mandatin e shkuar. Si Vetëvendosje (ish-partia e Dërgutit) i kemi bashkërenduar veprimet si opozitë duke i trajtuar edhe tjerat si partnerë të barabarta. Ishim opozita më e fuqishme ndonjëherë. Duhej të ishim më të fuqishëm tash me numrat që kemi, po të ishte bashkëpunimi i duhur. LDK-ja duhet t’i prijë opozitës e të bëjë strategji për aktivitetet. Pa diskutim s’mund të bashkohemi. Neve na akuzuan edhe se po e mbështesim qeverinë e ne ua dorëzuam gjitha nënshkrimet për ta rrëzuar qeverinë. Vazhdojeni këtë proces nëse po konsideroheni partia më e madhe. Nuk është mirë të kesh bashkëpunim e të tregosh kush është i pari, i dyti e i treti. Nëse dëshiron ta rrëzosh qeverinë duhet lënë inatet e të bashkëpunohet. Qëllimi i opozitës është që të rrëzohet qeveria. Këtë duhet ta bëjmë bashkërisht jo duke injoruar një subjekt me 12 ulëse në Kuvend e të kërkosh vetëm shërbim prej tyre. Le të na thirrin e të bëjmë strategji”, ka deklaruar Dërguti.

Dërguti ka folur edhe për protestën e thirrur nga Vetëvendosje kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi që të dialogohet për kufijtë me Serbinë. Ajo ka thënë se si parti nuk kanë asnjë qëndrim për protestën, sepse s’kanë marrë thirrje zyrtare nga VV-ja.

“S’kemi marrë ftesë për bashkëpunim siç kemi vepruar në Kuvend. Në çdo iniciativë kemi bashkëpunuar për gjitha çështjet e nisura nga partitë opozitare. Në këtë rast s’jemi ftuar dhe nuk kemi diskutuar në kryesi pasi s’kemi marrë ftesë zyrtare. Është temë e individëve nëse duan të shkojnë si qytetarë. Nëse dikush e sheh të arsyeshme mund të dalë”, ka thënë ajo.

Dërguti ka komentuar edhe qëndrimin e Thaçit me idenë për korrigjim kufijsh me Serbinë. Sipas saj, gabimi i parë në raport me Thaçin është i LDK-së, që me votat e veta ia mundësoi pozitën e presidentit.

“LDK-ja që vetëquhet institucionaliste e ka ditur çfarë kompetenca po i jep. Gjatë dialogut e kemi parë se ai është njeri jo serioz dhe ka nënshkruar shpeshherë marrëveshje pa diskutuar me askënd. Dyshimet se si e udhëheq dialogun kanë qenë gjithmonë të mëdha. Me deklarimet e tij, Thaçi ka destabilizuar komunitetin shoqëror duke zgjuar reaksion të jashtëzakonshëm. S’mendoj se po sillemi me seriozitetin që duhet ta trajtojmë këtë çështje. Kuvendi jo funksional shkon në favor të presidentit”, ka shtuar Dërguti duke përmendur edhe bojkotimin që LDK-ja dhe VV-ja po i bëjnë Kuvendit. “Çka arrijmë me bojkot. Në mandatin e shkuar kundërshtuam demarkacionin dhe Zajednicën, dhe e rrëzuam qeverinë, por nuk sollëm qeveri më të mirë. Po shkojmë njëjtë, me idenë e kundërshtimit të një marrëveshje, me bojkotim të Kuvendit e që Thaçi në të njëjtën kohë të kryejë punë, e të shkojmë në zgjedhje për të votuar marrëveshje të kryer. Ishte njëjtë edhe herën e shkuar. Ne i dorëzuam nënshkrimet. Le të ulemi të bisedojmë si të ecim më tutje”.

Edhe Kolumne Mjerimi

Dërguti ka shtuar se nëse presidenti nënshkruan marrëveshje për kufijtë me Serbinë, kjo përbën shkelje të Kushtetutës dhe nënkupton humbje të mandatit të tij.

Sa i përket çështjes së veteranëve të UÇK-së, Dërguti ka thënë se maksimumi duhet të jetë 20 mijë. Sipas saj, nëse dikush ka fryrë listat për vota apo për përfitime personale “përbën vepër të turpshme”.

Po ashtu ka thënë se vetë nuk do të largohet nga pozita e nënkryetares së Kuvendit, pasi rasti tash është në Gjykatën Kushtetuese. “Të presim vendimin fillimisht”, ka thënë ajo.