Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka rezultuar pozitive për koronavirus, ka njoftuar vetë ajo, duke thënë se është testuar pasi ka pasur disa simptoma ditëve të fundit.
“Të dashur miq, pas testit negativ të javës së kaluar sot e kam ripërsëritur testin dhe kam dal pozitiv... Kjo për faktin që tre ditët e fundit kam pasur disa nga simptomat që e shquajnë këtë virus si: Plogështi, ethe, temperaturë, koll, po ashtu kam vërejtur aritmi të theksuar këto ditë...”, ka shkruar ajo në Facebook, teksa ka kërkuar kujdes të shtuar nga të tjerët.
“Çfarë mund të ju them unë e që nuk e keni dëgjuar deri tani... Asgjë më shumë përtej se të kujdeseni për veten e të tjerët. Maska, higjiena e theksuar, distanca tashmë janë domosdoshmëri dhe mënyrë jetese. Virusi ekziston. Do të jetë gjatë me ne, prandaj duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me të”, ka vazhduar Hoxha.
Hoxha s’është deputetja e vetme e infektuar me COVID-19. Ditë më parë, deputetët e LDK-së, Arben Gashi e Haxhi Avdyli bënë të ditur se kanë dalë pozitivë me koronavirus.