Arbëri

Deputeti i VV-së: Jasharaj, Isufaj e Ademi, dëshmi që shteti është i kapur

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se zgjedhja e kryetarëve në tri dikastere të ndryshme, jashtë politikës, është dëshmi që shteti i Kosovës vazhdon të jetë i kapur.

Në një shkrim në Facebook të mërkurën, Rrustemi ka komentuar zgjedhjen e Rrahman Jasharajt edhe për një mandat në krye të Sindikatës së Arsimit, atë të Blerim Isufajt për kryeprokuror e Agim Ademit në Federatën e Futbollit.

“Pardje Rrahman Jasharaj në arsim dhe sot Blerim Isufaj në kryeprokurori e Agim Ademi në futboll tregojnë që ende është i kapur përbrenda shteti i Kosovës. Akoma kemi shumë punë që ndryshimi i madh popullor i 14 shkurtit 2021 të bëhet edhe demokratizim i shtetit tonë”, ka thënë ai.

Jasharaj para disa ditësh mori një mandat të ri në krye të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës, ndërkaq të mërkurën Isufaj u zgjodh nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për kryeprokuror të shtetit e Ademi mori mandatin e ri katërvjeçar në FFK.