Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputeti i VV-së fajëson ish-qeveritë për masat e BE-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka ndërlidhur masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të vendosura më herët sivjet, me “moskontrollin e integrimit të pretenduar të serbëve në veri”, nga ish-pushtetet.

Sipas tij, integrimi i serbëve ka qenë vetëm farsë. Ai ka deklaruar se përpjekjet e Qeverisë Kurti për shtrim sovraniteti në veri kanë alarmuar strukturat ilegale për të kundërshtuar.

Duke komentuar presionin ndërkombëtar mbi Kosovën, Dugolli në emisionin “60 Minuta” në KTV ka thënë se kjo po inkurajon strukturat e Serbisë.

“Besoj që këtu po synohet të arrihet marrëveshje për deeskalimin përfundimtar, një ecje përpara, por tolerimet që po bëhen ndaj strukturave të Serbisë, sikur po i inkurajojnë forcat destruktive e armiqësore ndaj Republikës së Kosovës sepse ne këtë situatë e kemi trashëguar. Ka qenë shumë më keq, ka qenë situatë kur thua kontrolli i shtetit në atë pjesë ishte krejtësisht formal, s’ka pasur kontroll të mirëfilltë sepse integrimi i pretenduar i serbëve lokalë asnjëherë s’ka ndodhur. Ka qenë vetëm farsë, për të cilën ne po paguajmë çmim. Jemi shteti që po paguajmë çmim për integrimin farsë sepse kemi pra edhe masat e BE-së ndaj shtetit të Kosovës...”, ka thënë ai. “Patjetër se janë pasojë e saj (farsës për integrim)... në momentin që shtrimi i sovranitetit dhe integritetit territorial në atë pjesë dhe natyrisht që filluam të bëjmë punë për ndjekjen e krimit të organizuar, korrupsionit e kontrabandës, u alarmua ajo strukturë kriminale dhe bëri probleme dhe ishim të detyruar të intervenojmë me forca policore e shtetërore që të mbajmë qetësinë, situatën nën kontroll dhe si rezultat i kësaj nga BE-ja u quajt se situata është eskaluar dhe padrejtësisht dhe në mënyrë joproporcionale u vendosën masa ndaj Kosovës”.

Masat e BE-së ndaj Kosovës u vendosën më herët gjatë vitit, nën arsyetimin e ndërkombëtarëve se nuk janë përfillur kërkesat e tyre për shtensionim të situatës në veri. Ndërkombëtarët patën kërkuar që kryetarët e rinj, shqiptarë, të katër komunave në veri të vendit të dominuar nga serbët, të mos ushtronin funksionin e tyre brenda objekteve komunale. Kërkesat kishin ardhur pasi në veri nisën protesta të dhunshme nga serbë lokalë.

Edhe Kolumne BE-ja para një testi të madh në veri të Kosovës

Dugolli po ashtu ka thënë se në dialog presin që Bashkimi Evropian të kthejë gishtin e fajësisë kah Beogradi dhe të shtojë presionin mbi Serbinë për të zbatuar marrëveshjen e dakorduar. Ai ka akuzuar Serbinë se është e interesuar që vetëm të humbë kohë në dialog.

Sipas tij, situata tash në veri është më e qetë dhe se ka mbetur vetëm faza përfundimtare e depërshkallëzimit, ajo e shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Ai ka thënë se peticioni për largimin e kryetarëve në veri është rruga e duhur dhe “garanci që serbët në zgjedhjet e ardhshme do të marrin pjesë”.

“Dorëheqja pa garanci, pa situatë ku shpallen zgjedhjet do të kishim pjesëmarrje të mjaftueshme, s’është zgjidhje”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se koordinimi me ndërkombëtarët “ka ekzistuar dhe ekziston”.

“Por koordinim për gjithçka e në çdo kohë e moment s’mund të ketë në rrethanat e caktuara kur ke sulme direkte në institucionet e Kosovës dhe ne të presim që çka po thotë bashkësia ndërkombëtare është sikur ta nënçmojmë vetveten, Republikën e Kosovës, aftësinë tonë për të reaguar e për të vënë paqe, rend dhe ligj”, ka shtuar ai. “S’është se s’duam koordinim, por ne jemi të obliguar të zbatojmë rendin dhe ligjin”.

Sipas tij, tash në veri ka rritje të raportimeve të qytetarëve për krime të ndryshme në raport me vitet kur në polici ishin serbët lokalë.

Edhe Kolumne Le të mbarojë më!

Në vitin 2013 ishte arritur marrëveshja për shuarjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, dhe integrimin e tyre në sistemin e Kosovës.

Ai është shprehur i bindur se “nuk ka asgjë në rastin e rezervave shtetërore”.