Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputetët të kënaqur me funksionalizimin e drejtësisë në Mitrovicë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Xhevahire Izmaku, Sami Kurteshi dhe Shkumbin Demaliaj, si dhe përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), kanë vizituar sot Prokurorinë Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti, me qëllim të rritjes së transparencës dhe fuqizimit e rolit mbikëqyrës të Kuvendit gjatë implementimit të marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi.

Kryeprokurori i kësaj Prokurorie, Shyqyri Syla, ka bërë të ditur se marrëveshja është e mirë në tërësi, edhe pse është e mundshme të ketë sfida të cilat do të paraqiten gjatë implementimit. Ai ka potencuar se kjo marrëveshje është e mirë për arsye se tani këtu do të aplikohen ligjet e Republikës së Kosovës dhe asgjë nuk do të jetë jashtë këtyre rregullave.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Gjithçka deri tani është duke shkuar në rregull dhe nuk kemi ndonjë telashe. Gjithsej jemi 21 prokurorë, 10 prej tyre janë të minoritetit serb. Kemi një staf ndihmës prej 24 punëtorëve të integruar tani dhe 24 prej shqiptarëve të cilët kanë qenë duke punuar në këtë Prokurori…Lëndët ndahen sipas rregullores së Këshillit Prokurorial me short, nuk kemi ndarje në baza nacionale, kështu që gjithçka është duke shkuar në rregull… Kjo marrëveshje është e mirë në tërësi, ndoshta ka sfida të cilat do të paraqiten gjatë implementimit. Është e mirë për arsye se këtu do të aplikohen ligjet e Republikës së Kosovës dhe asgjë nuk do të jetë jashtë këtyre rregullave”, ka thënë Syla, transmeton kp.

Deputeti Shkumbin Demaliaj, tha se ka filluar sinjali i parë që drejtësia në Kosovë po funksionalizohet brenda sistemit të drejtësisë kosovare. Sipas tij, përkundër sfidave dhe vështirësive tani, ato në të ardhmen do të eliminohen.

“Besoj se në të ardhmen, edhe pse tani është e hershme, sepse këta janë betuar që tre javë, por po shihet që ka filluar sinjali i parë që drejtësia në Kosovës po funksionalizohet brenda sistemit tonë të drejtësisë. Përkundër vështirësive që kanë, besojmë se në të ardhmen këto vështirësi do të eliminohen”, theksoi Demaliaj.

Ndërsa, deputetja nga radhët e PDK-së, Xhevahire Izmaku, e ka quajtur tejet pozitiv realizimin e kësaj marrëveshje, ngase siç u shpreh ajo, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, tani ka filluar edhe funksionalizimi i prokurorive dhe gjykatave.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës pas marrëveshjes së Drejtësisë po e shohin në realitet realizimin e kësaj marrëveshje…Përkundër të gjitha vështirësive unë personalisht si deputete konsideroj se është një hap pozitiv, sepse pas pavarësisë së vendit kemi vënie në sistem dhe funksionalizimin e gjykatave”, tha ajo.

Në anën tjetër, deputeti Sami Kurteshi, theksoi se implementimi i kësaj marrëveshje do të tregoj më së miri se si do të ecë puna në këtë drejtim.

Ai shtoi se ndarja etnike e prokurorëve dhe gjykatësve që është bërë sipas marrëveshjes, paraqet diskriminim, sepse përveç shqiptarëve dhe serbëve, nuk janë përfshirë prokurorët dhe gjykatësit e etnive tjera.

“Tash është hapi i parë. Sfida ka, ato do të mbeten dhe mendoj se implementimi do të tregoj më së miri se si do të ecë puna…Unë mendoj se problemi kryesor ka me qenë diskriminimi përmes marrëveshjes dhe ndarja etnike që është bërë. Ndarja është shumë diskriminuese, kundërkushtetuese ose tek prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë dhe serbë, ku janë të tjerët, boshnjakët bie fjala. Ne jemi në Lagjen e Boshnjakëve kurse flitet vetëm për dy nacionalitete”, u shpreh deputeti Kurteshi.