Propozimi i presidentit Hashim Thaçi për ndërtimin e kompleksit rezidencial po kundërshtohet fuqishëm nga deputetët e Kuvendit, raporton KTV.
Por ideja e Thaçit që erdhi një ditë pas darkës në vilën luksoze të zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli është mbështetur nga zyra e Kryeministrit Haradinaj.
Zyra e kryeministrit, në një përgjigje me shkrim, ka pohuar se propozimi për ndërtimin e rezidencës do të procedohet në takimet e radhës të qeverisë.
Thonë se është ende herët për të ditur se sa do të kushtojë ky projekt dhe se ku do të gjenden mjetet financiare.
“Propozimet e presidentit të vendit në fjalën e tij drejtuar kabinetit qeveritar me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë, sigurisht që do të shqyrtohen. Qeveria do t’i procedojë këto propozime në takimet e radhës. Planifikimet për projekte të kësaj natyre, me rëndësi kaq të madhe, marrin kohë dhe sigurisht që tani është herët të flitet për datën dhe shumën financiare”.
Zyra për Informim e Kryeministrit
Por, dëshira e presidentit që të ndërtohet një kompleks i tillë është kundërshtuar nga deputetët e Kuvendit. Driton Selmanaj e quan të parakohshëm ndërtimin e kompleksit rezidencial.
Edhe deputetët e “Vetëvendosjes” dhe Nismës e kritikojnë këtë nismë të presidentit. Sipas tyre, Kosova ka shumë probleme, për të cilat duhet të gjejë zgjidhje urgjente, para se të ndërtohet një kompleks i tillë rezidencial.