Deputetët e LDK-së e ata të PDK-së kanë konfirmuar se ndaj tyre ka pasur planifikime për atentat dhe se për një gjë të tillë janë njoftuar nga institucionet e sigurisë në vend. Megjithëkëtë, ata kanë deklaruar se nuk kanë informacione të hollësishme dhe se me çështjen janë duke u marrë organet e rendit
Deputetët e PDK-së e ata të LDK-së nuk kanë informacione të hollësishme lidhur me planifikimet për atentate ndaj tyre.
Përveç konfirmimit, udhëheqësit e dy partive më të mëdha opozitare në vend, Lumir Abdixhiku i LDK-së e Memli Krasniqi i PDK-së, nuk kanë dhënë detaje të tjera.
“Janë çështje të organeve të drejtësisë. Ne po presim ashtu siç po prisni edhe ju… Besojmë në punën e organeve të drejtësisë dhe hetuesisë”, ka thënë Lumir Abdixhiku, kreytar i LDK-së.
“Unë mund t’ju konfirmoj që jemi kontaktuar prej Policisë së Kosovës, na kanë njoftuar që me të njëjtin rast tashmë të bërë publik nga deputetët e LDK-së kanë qenë të përfshirë edhe emri im dhe emri i deputetes Musliu. Jemi njoftuar për masa që ata janë duke i marrë për sa i përket kësaj çështjeje dhe do të jemi në komunikim të mëtejmë”, ka thënë kreu i PDK-së.
Detaje nuk kanë dhënë as deputetët Ganimete Musliu e Armend Zemaj, të cilët është raportuar se janë në mesin e atyre ndaj të cilëve është planifikuar atentat.
“Nuk kam çka t’u shtoj asgjë më shumë deklaratave të kryetarit. Nuk ndihem e frikësuar. Kam besim të plotë në organet e rendit. Do të jemi në bashkëpunim për çdo informacion që ata kërkojnë nga ana ime si deputete”, ka thënë Musliu.
“Faleminderit shumë, gjithçka është në dorën e organeve të rendit të Republikës së Kosovës, është vlerësim i tyre, është gjykim i tyre, ne e bëjmë punën tonë. Jemi përfaqësues të qytetarëve, vazhdojmë me punën në Kuvend dhe sigurisht çdo gjë do të qartësohet nga Policia dhe hetuesia”, është shprehur Zemaj.
Një ditë më parë, është raportuar se persona ende të paidentifikuar me qëndrim jashtë Kosovës, kanë planifikuar atentat ndaj zyrtarëve opozitarë në vend.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se hetimet Policia duhet t`i drejtojë në disa drejtime.
“Në rastin e parë të merret me verifikimin e informacionit, për një kërcënim të mundshëm nga individë apo grupe të caktuara, të cilët mund të arrihet përmes bashkëpunimit që e ka Policia e Kosovës me strukturat e ndryshme, në këtë rast më policinë gjermane. Ndërsa në anën tjetër duhet të ketë edhe një hetim sa i përket asaj se deputeti i cili është kontaktuar nga shërbimi, se a kemi këtu shkelje të ligjit, sepse dihet që çdokush i cili bashkëpunon apo merr apo pranon informacione të ndryshme është ndesh me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Shala.
Detaje nuk ka dhënë as Policia e Kosovës. Zyrtarë të saj, kanë thënë se janë duke u marrë me rastin, të cilin e kanë cilësuar kanosje.