Ndër ndotësit kryesorë të mjedisit konsiderohen të jenë edhe depozitë e mbeturinave.
Ka më shumë se 9 vjet që mbeturinat e më shumë se 50 fshatrave të komunës së Istogut, grumbullohen në këtë deponi në fshatin Tupeq, raporton KTV.
Banorët thonë se jetesa afër kësaj deponie, është bërë e padurueshme.
Zyrtarët komunalë të Istogut e pranojnë se deponia e mbeturinave që gjendet në këtë fshat nuk i përmbush kriteret dhe kushtet e përcaktuara me ligj.
Ata thonë që për çdo vit kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Mjedisit, pasi nuk kanë fonde të mjaftueshme, mirëpo, pos premtimeve, nuk ka ende asgjë konkrete.
Ndërsa, në Ministrinë e Mjedisit nuk janë në dijeni që ekziston kjo deponi, por thonë që edhe nëse ekziston, atëherë është deponi ilegale, si shumë tjera, të cilat nuk kanë leje nga MMPH-ja.
Edhe
Kosovës po ia zënë frymën 1300 deponi ilegale
Mirëpo, ky dikaster ka plan zgjerimin e deponisë së mbeturinave në Pejë. Sipas Ministrisë së Mjedisit, kur kjo deponi të rregullohet, të gjitha komunat e regjionit të Pejës do t’i dërgojnë mbeturinat në deponinë e Pejës, që edhe tani është dashur që t’i dërgojnë, mirëpo nuk po ndodh ashtu.
Në vitin 2016, është bërë identifikimi i deponive ilegale të mbeturinave në 17 komunat e Kosovës me ç’rast janë identifikuar 1,117 sosh.