Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dënimet për armëmbajtje pa leje si kundërvajtje

Përkundër faktit se armëmbajtja pa leje, sipas ligjit vlerësohet si “krim i rëndë”, një qasje e tillë nuk po gjen mbështetje në praktikë, pasi gjykatat gjatë vitit 2018 dhe 2019, në shumicën e rasteve kanë shqiptuar dënime me gjobë dhe me kusht, e shumë rrallë kanë shqiptuar dënime me burgim efektiv.

Gjatë vitit 2019, Departamentet e Krimeve të Rënda të Gjykatave Themelore sa i përket armëmbajtjes pa leje kanë shqiptuar 19 dënime me burgim, 133 me gjobë dhe 46 dënime me kusht.

Gjykatat gjatë këtij viti kanë dhënë 6 aktgjykime liruese dhe vetëm 9 aktgjykime refuzuese.

Ndërkaq, gjatë vitit 2018 kanë shqiptuar 13 dënime me burg për kryerësit e kësaj vepre, 157 dënime me gjobë dhe 126 dënime me kusht. Gjykatat e këtij departamenti, gjatë vitit 2018 kanë shqiptuar 12 aktgjykime liruese dhe 13 aktgjykime refuzuese.

Këto dënime të shqiptuara për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, sipas Arrita Rezniqit, hulumtuese e Instituti të Kosovës për Drejtësi (IKD), nuk po e arrijnë qëllimin e dënimit.

“Ndonëse legjislacioni ynë penal veprën penale të armëmbajtjes pa leje e cilëson si “krim të rëndë”, duke përcaktuar që vepra të tilla penale të gjykohen në kuadër të Departamentit për Krime të Rënda, dënimet që shqiptohen ndaj kryesve të këtyre veprave penale në praktikë nuk korrespondojnë aspak me këtë cilësim, e as me pasojat dhe rrezikshmërinë e kësaj vepre penale për shoqërinë. Kodi ynë penal, për këtë vepër penale parasheh si dënim maksimal dënimin me burgim efektiv deri në 10 vjet, mirëpo politika ndëshkimore që aplikohet nga gjykatat gjatë gjykimit të armëmbajtjes pa leje konsiston kryesisht në shqiptimin e dënimeve me gjobë, çka ngjason më tepër me gjobat që shqiptohen në procedura kundërvajtëse, që siç dihen janë procedura për shkelje administrative, që nuk krahasohen aspak me veprimet e kualifikuara si vepra penale. Pra, dënimi me gjobë si sanksion që aplikohet për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, nuk arrin qëllimin final të dënimit, që është preventiva individuale dhe gjenerale e forcimi i detyrimit për respektimin e ligjit, kjo marrë parasysh numrin e madh të armëve pa leje që sekuestrohen nga ana e Policisë së Kosovës në baza ditore”, tha ajo në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV.

Rezniqi thotë se gjykatat me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit tek kjo vepër penale duhet t’i referohen edhe Udhëzuesit për Politikën Ndëshkimore të miratuar nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës.

“Armët pa leje, duke qenë jashtë sferës së kontrollit institucional, shërbejnë për të kryer një sërë krimesh serioze kundër jetës dhe shëndetit, si dhe shpeshherë pamundësojnë edhe gjurmimin dhe zbulimin e kriminelëve, andaj është e domosdoshme që politika ndëshkimore të ashpërsohet ndaj kryesve të tillë, në mënyrë që të parandalohet një dukuri e tillë kriminale. Andaj është e domosdoshme që ligji me të gjithë forcën e tij të godasë kryerësit e kësaj vepre penale, me qëllim që të arrihet qëllimi i dënimit ashtu si është përcaktuar me legjislacionin tonë penal. Për më tepër, gjykatat me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit tek këto vepra penale, duhet t’i referohen edhe Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore, të miratuar nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës”, shtoi ajo.

Për më shumë, ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi”, mbi ndjekjen dhe dënimin e “kaubojve” në Kosovë.

 

Artikuj të ngjashëm