Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deliu: Raporti i Progresit thekson shkeljet e procedurave në miratimin e projektligjeve

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2022, ka theksuar shkeljet e procedurave në miratimin e projektligjeve.

Deliu ka deklaruar në “Tempus” të KTV-së të martën se kur dikur ka pasur nguti, partia që tani është në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ishte shumë kritike.

“Një element tjetër që identifikon Raporti i Komisionit Evropian është edhe shpesh shkelja e procedurave apo përshpejtimi i miratimit të ligjeve. Në të kaluarën ju e dini që sa herë ka pasur ndonjë nguti, partia e cila sot udhëheq me vendin ka qenë shumë kritike për shkelje të procedurave në miratimin e ligjeve”, ka thënë Deliu.

Ajo ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka shkuar në Kuvend dhe ka atakuar deputetë, në mungesë të zgjidhjes dhe në mungesë të projekteve.

“Pse ka pasur një gjuhë atakuese, pse kryeministri ka ardhur në seancë dhe ka atakuar deputetë, është marrë personalisht me deputetë të opozitës në mungesë të alternativave, në mungesë të zgjidhjes, por edhe në mungesë të shumë projekteve për të cilat Qeveria duhet të vijë e të flasë, e mbase t’i bindë deputetët e opozitës”, ka thënë Deliu në “Tempus”.

Sipas saj, “edhe ministrat nuk u stepën nga gjuha polarizuese në drejtim të deputetëve të opozitës”.