Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Delawie mirëpret përkrahjen e Bidenit për Kosovën “të bazuar në interesin amerikan”

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, e ka mirëpritur përkrahjen për Kosovën të kandidatit për president të SHBA-së, Joe Biden.

“Kjo letër ka kuptim të përsosur. I lumtur të shoh që Joe Biden do të rikthejë një politikë të balancuar të SHBA-së karshi Kosovës duke u bazuar në interesat e sigurisë nacionale të SHBA-së në Ballkan”, shkroi Delawie në Twitter.

Në një deklaratë të fushatës zgjedhore, kandidati për president të SHBA-së, Joe Biden, ka shpalosur vizionin e tij për marrëdhëniet e Amerikës me Kosovën dhe Shqipërinë.

Në deklaratën e publikuar të shtunën, Joe Biden dhe kandidatja për nënpresidente, Kamala Harris, ndër të tjerash, pohojnë se për administratën e tyre pavarësia e Kosovës do të jetë e pakthyeshme, Kosova do të ketë trajtim të barabartë në dialog me Serbinë, gjë që do të çojë në njohje reciproke, por gjithmonë duke ruajtur integritetin territorial të Kosovës.