Arbëri

Kosova mirëpret vëmendjen e Bidenit

Në një deklaratë të fushatës zgjedhore, kandidati për president të SHBA-së, Joe Biden, ka shpalosur vizionin e tij për marrëdhëniet e Amerikës me Kosovën dhe Shqipërinë.

Në deklaratën e publikuar të shtunën, Joe Biden dhe kandidatja për nënpresidente, Kamala Harris, ndër të tjerash, pohojnë se për administratën e tyre pavarësia e Kosovës do të jetë e pakthyeshme, Kosova do të ketë trajtim të barabartë në dialog me Serbinë, gjë që do të çojë në njohje reciproke, por gjithmonë duke ruajtur integritetin territorial të Kosovës.

Deklarata e Bidenit është mirëpritur nga spektri politik në Kosovë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, ka thënë se qeveria që udhëhiqet nga partia e tij nuk do të pozicionohet për kandidatët presidencialë, por, sipas tij, deklarata e Bidenit flet për garancinë e marrëdhënieve Kosovë-SHBA në nivelin më të lartë të mundshëm.

"Ajo që duhet veçuar është fakti se Bideni deklaron publikisht se nuk ka kthim mbrapa në diskutimin e çështjes së shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Nuk ka kthim mbrapa në diskutimin dhe përkrahjen që do ta ketë Kosova nga administrata Biden për proceset euroatlantike të integrimit, qoftë në NATO, qoftë në BE. Dhe nuk ka kthim mbrapa në aspektin e dialogut që do të çonte në një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Bislimi. 

Edhe sekretari për marrëdhënie me jashtë nga Lëvizja Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti, e ka cilësuar si shumë të rëndësishme deklaratën e lëshuar nga Joe Biden, sidomos në synimin se do të largohet qasja e pabalancuar që administrata Trump ka pasur ndaj Kosovës në dialogun me Serbinë.

“Deklarata e tij dhe e zonjës Harris ishte shumë pozitive sepse nëse e shihni tek synimet apo zotimet e Biden për Rajonin, çështja e parë është që duhet të kemi një raport reciprok, të barabartë mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është kundër situatës në të cilën gjendemi aktualisht e në të cilën na ka sjellë qeveria ilegjitime Hoti dhe gjithashtu qasja e shpejtë dhe ahistorike e ambasadorit Grenell për të zgjidhur një konflikt të gjatë historik në Ballkan”, ka deklaruar Ahmeti. 

Në subjektin tjetër opozitar, Partinë Demokratike të Kosovës, nuk e kanë komentuar deklaratën e Bidenit. Deputeti Elmi Reçica ka thënë se deklarimet pro ose kundër kandidatëve për presidentë të SHBA-së nuk i shërbejnë Kosovës, madje, sipas tij, mund ta dëmtojnë atë. Reçica ka thënë se e rëndësishme është që Kosova të ketë marrëdhënie të mira me këdo që vjen në Shtëpi të Bardhë.

"Ne nuk duhet dhe nuk është në rregull që të involvohemi me deklarata dhe veprime në zgjedhjet që po mbahen për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk është çështje e jona, kushdo që fiton do të ketë një raport ndërshtetëror që është i përhershëm dhe këtë e kemi deklaruar disa herë. Miqësia mes SHBA-së dhe Kosovës është e përjetshme dhe është krejt e veçantë. Kështu që mendoj që çdo involvim apo deklarim nuk është në rregull dhe është i dëmshëm".

Në pikën e parë të deklaratës, Joe Biden ka cituar publicistin Veton Surroi, kur ai ka folur për gatishmërinë që ka treguar Bideni për t’iu përgjigjur kërkesave të Kosovës që nga vitet ‘90.

Surroi, në një postim në rrjete sociale, e ka cilësuar Bidenin si një nga të rrallët që çështjen e lirisë së Kosovës e ka kthyer në kauzë të Kongresit të SHBA-së. Surroi ka thënë se Bideni meriton besimin për president.

“Joe Biden, një prej të rrallëve në Washington që në vitet e hershme '90 na priste e dëgjonte, një prej të rrallëve që çështjen e lirisë e demokracisë në Kosovë e ish-Jugosllavi e shndërroi së bashku me kolegët e tij, demokratë e republikanë, në kauzë të Kongresit e të SHBA-së në tërësi. Në njeri konsistent dhe i fjalës meriton besimin e plotë për premtimin e tij si president për një angazhim të balancuar e të drejtë për të arritur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë në bazë të njohjes së ndërsjellë dhe me respekt të tërësisë tokësore të Kosovës”, ka shkruar Surroi. 

Joe Biden ka mbështetur fuqishëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë dhe ka mbrojtur me vendosmëri pavarësinë e Kosovës.