Banorët në Shtërpcë prej vitesh po përballen me mungesë të ujit për ujitjen e parcelave bujqësore.
Telashet e tyre nisën më 2010, kur autoritetet qendrore e lokale dhanë leje e pëlqime për ndërtim të hidrocentraleve, nëpërmjet të cilave shumica e ujit të lumit Lepenc tashmë është futur nëpër gypa.
Këta banorë, burim të vetëm financiar vazhdojnë ta kenë prodhimin e produkteve bujqësore, porse tani me vështirësi dhe rendimente të vogla.
Në shumicën e fshatrave bashkëjetojnë shqiptarë e serbë dhe ata i bashkon mbrojtja e ambientit.
Agron Rushiti, banor i fshatit Biti, tek flet për përpjekjet e përbashkëta, tregon edhe për vështirësitë në të cilat has, shkaku i mungesës së ujit.
“Me komunitetin serb neve na bashkojnë shumë gjëra sepse bashkëjetojmë në të njëjtin vend. Punët i kemi të përbashkëta, si tokat bujqësore, na kanë bashkuar edhe protestat e lumit. Tjera probleme asnjëherë nuk kemi pasur me komunitetin serb”.
Slogjan Ivkoviq ishte njëri nga organizatorët e protestave në këtë komunë për mbrojtjen e lumit Lepenc. Edhe ai thotë se tashmë e kanë të vështirë ta zhvillojnë bujqësinë, krahasuar me të shkuarën.
“Fatkeqësisht, nuk mundem ta pengonim, leja është dhënë nga Komuna, është dhënë nga ministria, por fillimisht problem përbën Komuna dhe askush tjetër. Ne së bashku, serbë e shqiptarë tentuam ta pengojmë, por nuk mundëm”.
Me gjithë vështirësitë dhe telashet, këta banorë vazhdojnë t’i mbrojnë interesat e përbashkëta.
Idriz Hyseni e Slavko Stanojeviq shpeshherë kafenë e mëngjesit e pinë së bashku, në qendër të qytezës së Shtërpcës.
“Prej periudhës së pasluftës e këndej, telashet që kanë ekzistuar i dimë të gjithë, por tani për momentin kalojmë shumë mirë. Nuk kemi telashe, kemi raporte të mira, bashkëpunojmë së bashku, të mirën dhe të keqen e ndajmë së bashku, sepse nuk ka ambient tjetër për të jetuar”, tha Hyseni.
Edhe Stanojeviq tha se jetojnë në harmoni, pa ndonjë problem.
“Këtu, në Shtërpcë, jetojmë si asnjëherë më parë. Të gjithë marrin pensione, paga, donacione, janë ndërtuar mbase 300 shtëpi, i ka financuar buxheti qendror në Prishtinë. Në fshatin tim e kanë ndërtuar ujësjellësin, Shtëpinë e Kulturës dhe mbi dhjetë shtëpi”, tha Stanojeviq.
Bisedat e tyre shpesh janë të lidhura me zhvillimet politike, si në rrafshin e përgjithshëm ndërmjet dy vendeve, Kosovës e Serbisë, ashtu edhe politikave lokale.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.