Dardan Kryeziu, të enjten ankohej se ka shpenzuar një shumë të konsiderueshme parash në laboratore private, në pamundësi të kryerjes së analizave laboratorike në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Malishevë.
"Kanë filluar të më paraqiten probleme me tension, yndyrë, sheqer dhe plotë probleme të tjera dhe mjekut gjatë kontrollit i kërkova një udhëzim për analiza të përgjithshme në QKMF, por ai më tha se nuk mund ta bënte këtë, pasi aparati në laborator nuk punonte", ka treguar Kryeziu për KOHËN. "Pastaj një analizë në një laborator, tjetrën diku tjetër dhe u bën disa sosh dhe shpenzime bukur të mëdha. Laboratorët privat nuk duan ta dinë nëse jeton me ndihmë sociale apo në luks dhe po duhet paguar. Më thanë që janë duke e rregulluar aparatin por nevoja urgjente s'po pret, mezi qëndroja në këmbë dhe derisa të rregullohet aparati, njeriu në këso gjendje mund të shkoj në botën tjetër", ka theksuar Kryeziu.

Në QKMF e konfirmuan prishjen e aparatit, por nuk kishin informata se kur do të rregullohet ai.
"Nesër bëhen dy javë që analizatori i laboratorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë është në defekt, e kemi dërguar në servis, na kanë premtuar se do të punojnë maksimalisht në rregullimin e defektit, por nuk dimë saktë se kur bëhet kjo", ka thënë për KOHËN drejtori i QKMF-së Dr. Afrim Karsniqi.
Drejtori Krasniqi ka thënë se një pjesë e analizave që beheshin në laboratorin e QKMF-së po bëhen edhe tani, por pjesa më e madhe jo.
"Janë 6 analiza që bëhen në laboratorin tonë, por rreth 8 apo 9 nuk mund të bëhen shkaku i defektit të analizatorit", ka thënë drejtori Krasniqi.
Ai ka bërë me dije se përveç që pritet rregullimi i aparatit në defekt, QKMF ka kryer procedurat e tenderimit edhe për dy aparatë të ngjashme dhe pritet që QKMF të pajiset me ata.