Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dedaj: Kosova nuk i ka të përcaktuara pikat e zeza në komunikacion

Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit rrugor, ka thënë se Kosova ende nuk i ka të përcaktuar pikat e zeza në komunikacion, që nënkupton pjesët ku ka rrezikshmëri më të lartë, gjatë ngasjes së veturës.

Dedaj ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se shtetet e perëndimit tashmë i kanë të përcaktuara këto pika dhe se kjo do të ishte shumë e rëndësishme për të evituar aksidentet e shumta me fatalitet në Kosovë.

“Shtetet e perëndimit, i kanë të përcaktuara edhe pikat e zeza, dhe ato të nivelit të rrezikshmërisë së lartë. Institucionet tona nuk kanë përcaktuar pika te zeza aty ku janë, ato kanë një karakteristikë të rëndësishme. Në vitin 2007 kemi përcaktuar disa vende, bashkërisht me profesorin Ramadan Mazreku dhe ka qenë në Izniq n Deçan, pastaj ka qenë në Gjakovë pastaj në Metovc, këto kanë qenë tri pika që i kemi përcaktuar si të zeza. Pika të zeza nënkuptojnë nëse ndodhin dy ose më shumë aksidente me fatalitet brenda një intervali 3-vjeçar kohor. Meqenëse i kam pasur tri raste sa i përket aksidenteve me fatalitete, njëra është tek Mazgiti, tjetra është në Sllatinë për shkak të mjegullave të dendura”, ka thënë Dedaj.

Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk kanë hartë të caktuar e cila do t’i paralajmëronte automjetet për rrezikun në rrugë.

Dedaj po ashtu ka thënë se fatkeqësi është edhe fakti që rreth 40% e sinjalizimit mungon në territorin e Kosovës.

Ai po ashtu ka thënë se një problem tjetër në Kosovë sa i përket sigurisë në komunikacionin rrugor është edhe mungesa e Ligjit të Sigurisë, ndërkohë ka shtuar se 80% e veturave në Kosovë janë më të vjetra se 17 vjet.

Edhe Dedaj kërkon të jepet përgjegjësi për vdekjet në trafik Arbëri Dedaj kërkon të jepet përgjegjësi për vdekjet në trafik

“80% e veturave në Kosovë janë më të vjetra se 17 vjet. Shteti nuk ka punuar fare për importin e automjeteve të reja, freskimin e tyre”, është shprehur Dedaj.

Mbi 1300 vdekje në aksidente rrugore kanë ndodhur brenda 10 viteve në Kosovë, sipas statistikave të publikuara lidhur me aksidentet me fatalitet.