Arbëri

Debati për ngritjen e çmimeve përshkallëzon në përplasje verbale

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të martën kanë debatuar për vallen e ngritjes së çmimeve në vend, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ata kritikuan Qeverinë se është treguar e paaftë për të menaxhuar me këtë situatë. E nga ekzekutivi thanë se i kanë ndërmarrë masat më të mira për t’u dalë në ndihmë qytetarëve, derisa për abuzuesit me çmime paralajmëruan ndëshkime. Në këtë seancë pati edhe një konfrontim verbal mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Ligjvënësit kanë ngritur tonin në debatin parlamentar për rritje çmimesh, të cilin e ka thirrur opozita të martën.

Në seancën e jashtëzakonshme, liderët opozitarë dhanë kritika të shumta në drejtim të Qeverisë për mungesë strategjie si kundërpërgjigje ndaj shtrenjtimeve.

“Unë dhe të gjithë ne këtu e dimë që kryeministri, Qeveria edhe krejt ju që jeni sot në pushtet nuk keni faj kryesor për ngritje çmimesh dhe për këtë distribucion që ka ndodhur në zinxhir të furnizimit. Por ju keni faj që keni marrë detyra që nuk mundeni dhe nuk dini t’i kryeni qysh duhet”, ka thënë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

“Qeveria i ka ndërtuar vetes një pasqyrë fiktive të pashembullt të zhvillimit ekonomik. Dhe kur nuk sheh krizë nuk ka se si reagon për të”, ka thënë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Merreni me mend jeni zgjuar në një mëngjes dhe e keni gjetur litrën e vajit 3.50 euro, me mbulu atë marre jeni zgjuar kishe po ndiqni disa për t’i futur në burg. Për të hyrë në burg më përpara është dashur të hyjë kryeministri, sepse asnjë veprim paraprak se ka bërë për të parandaluar atë krizë”, ka shtuar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në anën tjetër, kryeministri përmendi masat që Qeveria ka marrë për subvencione e rritje pensionesh dhe tha se qytetarët i njohin përpjekjet e ekzekutivit për t’ua përmirësuar mirëqenien.

E për ata që përfituan në emër të krizës tha se do të ketë ndëshkime.

“Ne kemi shtuar kontrollin e mbikëqyrjen dhe do t’i ndëshkojmë ata që manipulojnë, ashtu siç u dëshmua pak ditë më parë, ku ka të tillë që synojnë përfitim në emër të krizës”, u shpreh kryeministri Albin Kurti.

Gjatë seancës pati edhe ngritje toni.

Derisa po e mbante fjalimin e tij, Abdixhiku dëgjoi disa komente të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, pas të cilave plasi polemikë mes tyre.

“Kryeministër, të lutem lidhe zëvendëskryeministrin. Trego respekt minimal në fjalim. Mund ta bëjmë edhe ndryshe, por e keni mundësinë këtu në mikrofon në mënyrë tolerante, njerëzore të diskutoni. Lidhe”, deklaroi Abdixhiku.

“Ajo që ndodhi ishte që kur deputeti po shpjegonte sesi me saktësi i ka parashikuar dhe i di të gjitha zhvillimet, unë i impresionuar e pyeta edhe kryeministrin se mos vallë e din se edhe kur do të përfundojë lufta në Ukrainë e nuk po na tregon. Sa i përket komentit të tij për lidhje ose zgjidhje, duke e njohur mirë deputetin Abdixhiku, dua të konkludoj se kuptoj shumë mirë se bashkëndiej me të por nuk e ndihmoj dot”, u përgjigj Bislimi.

Pasi mori fund polemika, opozita dha rekomandime për ta tejkaluar më lehtë situatën me çmimet.

Por, rekomandimet nuk u morën në konsideratë nga Qeveria. Sipas zëvendëskryeministrit Bislimi, ulja e tatimeve dhe akcizave, ndër të tjera, do t’u shërbente shtresave me të ardhura mbi mesatare.