Ardhja e Charles lll në krye të Mbretërisë së Bashkuar, është një avantazh për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit në tërësi, ka thënë të enjten gazetari dhe historiani, Daut Dauti.
Në një intervistë për emisionin Interaktiv në KTV, Dauti ka thënë se mbreti i ri e njeh situatën edhe me anë të vizitës së tij në Kosovë.
“Sa i përket Kosovës dhe Ballkanit, do të jemi në avantazh sepse Mbreti i ri, Charles lll, e njeh situatën dhe ka qenë, e ka vizituar Kosovën, vizitë nga e cila është ndarë jashtëzakonisht i kënaqur. Në këtë rast Kosova dhe Ballkani janë në duar të sigurta, asgjë nuk ka ndryshuar, gjërat mund të jenë njësoj ndoshta edhe më mirë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nuk mund të ketë ndryshim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Britanisë, dhe në rast se do të ketë, ndryshimet do të jenë vetëm pozitive, për shkak se Britania është aleat i Kosovës.
“Nëse ndryshojnë politikat, ndryshojnë për të mirë, marrëdhëniet mund të bëhen edhe më të afërta, sepse Britania e Madhe pas daljes nga BE-ja ka bërë disa lidhje të kontratave dhe marrëveshjeve të ndryshme me Kosovën dhe në aspektin bilateral të dy vendet janë ofruar, por ekziston një element negativ, pasi pas daljes së Britanisë nga Unioni Evropian, Kosova e ka humbur një mik brenda BE-së”, ka thënë ai.
Sipas Dautit, marrëdhëniet midis dy vendeve mund të thellohen edhe më shumë, për shembull në aspektin ekonomik.
“Por për fat të keq kjo mungon, mirëpo Britania e Madhe nuk ka hequr dorë nga Ballkani dhe nga Kosova, ajo ende lobon në botë që të njihet nga disa shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, bashkëpunimi mund të thellohet, por këto gjëra nuk shkojnë shumë lehtë pasi Kosova nuk ka shumë se çfarë t’i ofrojë Britanisë, por dhe anasjelltas”, ka thënë ai.
Sa i përket emërimit të Stuart Peach, emisar i posaçëm i Britanisë për dialogun Kosovë-Serbi, Dauti ka thënë se ky veprim tregon se MB-ka vazhdon të ketë interesim të madh për rajonin.
“Emërimi i z.Peach është rezultat i daljes së Britanisë nga BE-ja. Ky është një veprim që tregon se Britania ka një interesim të madh në rajon, Qeveria britanike këtë nuk e ka fshehur asnjëherë dhe është siguria arsye pse e ka shtuar interesimin. Nga fakti që Britania ka një përfaqësues aty, i bie se Britania do të vazhdojë të jetë e interesuar që bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë sa më mirë deri në arritjen e një rezultati të pranueshëm nga të dyja palët”, ka thënë ai.
Mbreti Charles lll, është shpallur mbret i Mbretërisë së Bashkuar pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth ll të enjten në moshën 96-vjeçare, të enjten.