Alban Dafa, hulumtues në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ka thënë se Kosova ka pasur mundësi t’i vendosë kushte Serbisë kur ka filluar iniciativa “Ballkani i Hapur”. Në emisionin “60 Minuta” në KTV ai ka thënë se Kosova ka ende hapësirë që ta kushtëzojë Serbinë me njohje, por se më vështirë se në fillim.
“Mënyra si vendos që t’i bashkohet është çështje tjetër, duke vendosur kushte për ‘Ballkanin e Hapur’ Kosova kishte potencialisht më shumë hapësirë për të vendosur kushte ndaj Serbisë për ta njohur, përkundër nismës së tregut të përbashkët rajonal. ‘Ballkani i Hapur’ është proces që është jashtë kornizës së anëtarësimit dhe si i tillë hapësira e Kosovës për të vendosur kushte ka qenë duke thënë se ‘ne duam të bashkëpunojmë për një treg rajonal, por këtë duam ta bëjmë duke vendosur njohjen si të barabartë nga Serbia, nëse Serbia nuk pranon atëherë nuk marrim pjesë’. Kosova këtë mund ta bëjë edhe tani megjithëse më vështirë”, ka thënë ai.
Dafa shtoi se funksioni i nismave të tilla rajonale si “Ballkani i Hapur” është një lojë e shteteve.
“Po duket qartë që funksioni i nismave është politik dhe loja e tyre është për të treguar se cili shtet është më i prirur për stabilitet dhe po luhet një lojë narrativash. Të qenit emocional nuk është strategjia më e mirë”, ka theksuar ai.
Ai ka thënë se qëllimi i Serbisë është që çdo lloj nisme rajonale që mund të nisë përmes BE-së apo SHBA-së të mos i thotë jo “dhe duke mos i thënë jo tregon se është antagoniste ndaj qëllimeve të tyre për stabilitetin në rajon”.
“Kjo nuk do të thotë se është e interesuar për stabilitet në rajon, por ky është pozicioni që merr për të pasur marrëdhënie të efektshme”, ka deklaruar Dafa.
Sipas tij, Serbia nuk është e interesuar të ketë stabilitet në rajon dhe se është e interesuar të krijojë konflikt në rajon. Dafa ka shtuar se Kosova dhe Bosnja janë dy konflikte që Serbia i përdor për të marrë lëshime të posaçme kryesisht në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe marrëdhëniet me SHBA-në.
“Shqipëria dhe Kosova mund të bëjnë më shumë për ta krisur këtë lloj imazhi, nuk e ka bërë për shumë arsye, sepse Shqipëria nuk e sheh domosdoshmërisht marrëdhënien me Kosovën në dobi të një politike më të gjerë mbarëkombëtare, por ka edhe trysni ndërkombëtare mbi Shqipërinë dhe Kosovën për të reduktuar çdo nismë”, ka thënë tutje ai.
Dafa ka theksuar se Shqipëria humb pa i vënë kushtëzime Serbisë.
“Shqipëria është më e humbur duke mos i vendosur kushtëzime Serbisë në çdo nismë rajonale që pranon të bëhet pjesë, ky është rasti edhe me ‘Ballkanin e Hapur’”, ka thënë ai.