Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Daçiq: Veriu nuk është qëllimi i vetëm i Serbisë në Kosovë

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se “nuk është qëllimi që vetëm veriu i Kosovës të mbetet në Serbi”. Por, ka shtuar ai, duhet gjetur zgjidhje edhe për jugun, që, thotë ai, është sfidë, pasi jugu nuk është i lidhur territorialisht me Serbinë.

Duke folur për Ujmanin, Daçiq, ka thënë se kreditë për liqenin po paguhen ndërsa është pyetur se kush është ai që mund të thotë se ai krejt i takon Kosovës, transmeton Koha.net.

“Ujmani është çështje ekonomike e jo politike”, ka thënë Daçiq.

Sipas tij, janë dy gjëra që pamundësojnë arritjen e marrëveshjes paqësore: Kosova me autonomi në Serbi, që është e papranueshme për shqiptarët, dhe tjetra - Kosova e pavarur me anëtarësim në OKB, që Serbia nuk do ta pranojë kurrë, sado që për këtë, ka thënë ai, Serbia mund të bisedojë.

Por, ka saktësuar, vetëm me kushtin që kjo të jetë pjesë e marrëveshjes që do të ofronte mundësi për zgjidhje të qëndrueshme paqësore, ndryshe Serbia nuk do të pranonte kurrë.