Kryeparlamentari i Serbisë, Ivica Daçiç, e shfrytëzoi vizitën e tij në Athinë për takime dypalëshe me homologun e tij grek Konstantinos Tasoulas, kryepeshkopin Jerome II të Athinës dhe ish-kryeministrin e Greqisë, dhe tani udhëheqësin e opozitës Alexis Tsipras, që konfirmuan se Greqia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Përfaqësuesit e qeverisë, pra kryetari i parlamentit, kreu i opozitës, kryepeshkopi, të gjithë thonë të njëjtën gjë, e ajo është se Greqia nuk do ta njohë pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës. Neve na takon që këtë temë ta mbajmë gjatë gjithë kohës aktive, gjegjësisht të bëjmë atë lloj pyetje sepse për ne ka rëndësi të madhe”, tha Daçiq.
Kryetari i Parlamentit serb, i cili po merr pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamentit në Athinë, të organizuar nga Këshilli i Evropës, shtoi se kryepeshkopi Jeronim është një person shumë i rëndësishëm jo vetëm në botën ortodokse, por edhe në jetën shoqërore të Greqisë.
“Në një bisedë të hapur, kryepeshkopi Jeronim më tha se ai beson se fusha e Kosovës, siç quhet Kosova dhe Metohija në Greqi, është po aq e rëndësishme për serbët sa Akropoli është për grekët”, shtoi Daçiq.
Ai shton se kryepeshkopi e ka siguruar se qëndrimi i Greqisë, së paku për sa i përket Kishës Ortodokse, gjegjësisht Arqipeshkvisë, për çështjen e Kosovës është shumë stabil.