Arbëri

“D4D” kërkon ndryshimin e ligjit për nënat lehona, kërkon që edhe babës së fëmijës t’i takojë pushimi

Organizata joqeveritare “Democracy for Development (D4D)” në bashkëpunim me OJQ “YAHR”, kanë organizuar një tryezë me përfaqësues të institucioneve lokale, kuvendarë dhe media në qytetin e Lipjanit, me qëllim për ta iniciuar ndryshimin e ligjit për lehonat në nivel të vendit. Prezantimi i temës “Leja prindërore për barazi gjinore” është prezantuar nga Valëza Zogjani nga D4D-ja, e cila midis të tjerash ka thënë se prej disa vitesh janë duke e hartuar projekt-ligjin për nënat lehona. Sipas saj, nëpërmjet këtij ligji po synohet që edhe bashkëshortit (babës së fëmijës) t’i takojë një pjesë e pushimit nga punëdhënësi në këtë proces.

“D4D ka filluar angazhimet për të drejtat prindërore, si nismë legjislative më 2016-n, pasi që Ministria e Punës kishte filluar ndryshimin e ligjit të punës dhe ligjin e veçantë të lindjeve. Ligji i punës është ndarë nga aty ku lehonat kanë pasur të drejtën e vet që e ka rregulluar me marrëdhënien e punës, andaj nga atëherë është vazhduar me një projektligj të veçantë që paraqet një diskriminim të madh ndaj grave punëtore. Kemi shpresuar që ligji do t’i trajtoi barazisht gratë dhe burrat në pushimin e lehonisë në mënyrë që të dy të kenë pushime të caktuara nga punëdhënësi”, ka thënë midis të tjerash Zogjani. Ajo ka shtuar se së bashku me OJQ-të qendrore dhe lokale kanë krijuar një model të ligjit për lehona, i cili është adekuat për t’iu përgjigjur nevojave të grave me vendet e tyre të punës. Shkëlzen Bislimi, këshilltar në KK të Lipjanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se në këtë ligj duhet të bëhen parallogaritë e kostove financiare. “Nëse ky projektligj ka një kosto të lartë financiare për t’i mbështetur dy bashkëshortët me para të shtetit pas lindjes së një fëmije atëherë nuk besoj se do të gjendet mirëkuptimi te deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë midis të tjerash Bislimi.

Lulzim Rrustemi, këshilltar nga radhët e PDK-së, ka thënë se në këtë projektligj është e rëndësishme mbështetja e bizneseve, sepse shumica e grave synojnë të punësohen në këto biznese, pasi që nuk ka hapësirë për të gjitha në sektorin publik. “Bizneset private nuk e kanë kulturën, as kapacitete për t’i mbajtur në punë gratë lehona, andaj ato i trajtojnë në mënyrën më të keqe të mundshme, kështu që në këtë rast duhet të mbështeten bizneset sepse në mënyrë forcohet edhe gruaja kur e dinë se do të kthehet në punë pas pushimit të lehonisë. Ky ligj duhet të shtyhet përpara sepse do të ketë peshë dhe rëndësi të madhe në shoqëri”, ka thënë Rrustemi.