Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Cufaj akuzon Kurtin për kryeneçësi: Kosova s’mund të lejojë të mos mbrohet nga Perëndimi

Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, në një shkrim për mediumin prestigjioz gjerman “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për kryeneçësi ndaj kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë. Duke komentuar situatën politike në rajon dhe dialogun me Serbinë në kohën kur Evropa po përballet me luftën në Ukrainë, Cufaj ka thënë se Kosova duhet të pranojë zgjidhjen që i ka ofruar Gjermania e Franca me “propozimin evropian”. Sipas tij, Kosova duhet të lejojë edhe komunat me shumicë serbe që të formojnë Asociacionin e tyre me organet e veta.

“Sipas marrëveshjes së vitit 2013, serbët e Kosovës kanë të drejtë të vetëqeverisin – por në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Janë dy probleme me këtë. I pari që Kosova frikësohet se serbët, që kontrollohen politikisht nga Beogradi, mund të kërkojnë ribashkim me Serbinë. Dhe i dyti, sipas meje, është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, ka shkruar Cufaj.

Cufaj ka thënë se Kurti ka qenë kundërshtues i Marrëveshjes së Rramboilletit e më pas edhe i Planit të Ahtisaarit. Ai ka shtuar se kryeministri aktual e ka parë për vite të tëra zgjidhjen e vetme për Kosovën – bashkimin me Shqipërinë. Sipas tij, pasi që “Kurti pa se nuk mund të bëhet Shqipëria e Madhe, ai më 2011 vendosi t’i hyjë jetës parlamentare në Kosovë”. Tash pas dy vjetësh kryeministër, sipas Cufajt, Kurti nuk dallon nga ish-kryeministrat. Ai në shkrim ka thënë se “përderisa Serbia pa dëshirë po e pranon planin perëndimor, shqiptarët e Kosovës janë bllokuar me Kurtin në krye”.

“Për herë të parë në historinë e re, Kosova po iu thotë ‘jo’ çliruesve dhe sponsorëve të saj perëndimorë. Jo haptas, sigurisht: një ‘jo’ për SHBA-në, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë do të ishte e pazbatueshme. Gjithçka që dëgjojnë kosovarët është: Kurti i thotë ‘jo’ vetëqeverisjes për serbët në Kosovë. Ky ishte premtimi i tij zgjedhor”, ka shkruar Cufaj.

Sipas ish-ambasadorit, kushti i Kurtit, që pa njohje s’mund të ketë asociacion, ka mërzitur partnerët ndërkombëtarë. Ai ka thënë se Kurti duhet të heqë dorë nga premtimet zgjedhore dhe se nuk mund ta ndalojë formimin e Asociacionit.

Edhe Kurti: Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të përballet me krimet që ka kryer Arbëri Kurti: Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të përballet me krimet që ka kryer

“Kosova ka kryeministër kryeneç, por s’ka tanke, aeroplanë apo ushtri të madhe”, ka shtuar ai. Cufaj ka thënë se përderisa Vuçiqi dhe Serbia i kanë këto, partnerët e Kosovës mund të përgjigjen se “ne ju mbrojmë nga ai dhe Putini”.

Ai ka vlerësuar se “normalizimi aktual” është që “Vuçiqi të shpëtohet nga presioni për njohje ‘de jure’, dhe në këmbim largohet nga Putini dhe Kosovës i jepet njohja ‘de facto’ nga Serbia”.

“Ky është normalizim. Maksimumi nga minimumi. Me kusht që Kosova t’u japë autonomi serbëve të saj”, ka shtuar Cufaj.

“Gjermania, si sponsorizuesja kryesore e Albin Kurtit, duhet ta dëbojë popullizmin nga kjo krijesë. Kosova s’mund të lejojë të mos mbrohet nga Perëndimi. Më 17 shkurt mbushim 15 vjet. Ne nuk kemi nevojë për një republikë tjetër”, ka shkruar ai në fund duke iu përgjigjur pyetjes se “a duhet Perëndimi t’ia kthejë shpinën Kosovës për të cilën ka dërguar mijëra trupa në dy dekada për të ruajtur paqen, vetëm pse Kurti refuzon të bëjë marrëveshje me Serbinë?”

Cufaj ka qenë ambasador në Gjermani nga vera e vitit 2018 ndërsa u shkarkua në maj të vitit 2021.

Gazetari gjerman, Michael Martens, të premten gjatë ditës e paralajmëroi shkrimin e Cufajt si “tekst që nuk do t’u pëlqejë disave në Kosovë”. Pas publikimit ai ka shtruar edhe pyetjen se çfarë fshihet pas tekstit kritik të ish-ambasadorit ndaj qeverisë së shtetit që e ka përfaqësuar dikur në Berlin.

Edhe Vuçiqi paralajmëron “luftë” kundër njohjeve të Kosovës Arbëri Vuçiqi paralajmëron “luftë” kundër njohjeve të Kosovës

“Disa mund ta shohin thjeshtë si hakmarrje të një ambasadori të shkarkuar. Të tjerët e përshkruajnë si goditje parandaluese për atë që s’ka të bëjë fare me pjesën e dukshme të tekstit. E shohin si ‘tekst ajsberg’, kuptimi i të cilit kryesisht fshihet nën sipërfaqe. Për shembull: Nëse do të ketë hetime nga gjyqësori i Kosovës në të ardhmen ndaj ish-ambasadorit – për çfarëdo çështje, ndoshta edhe për periudhën e tij si diplomat – do të duket sikur Qeveria po përpiqet të hakmerret pasi u kritikua publikisht. Cilado që të jetë çështja, kritika e tillë nga një ish-ambasador kundër shtetit të tij, është e jashtëzakonshme”, ka shkruar Martens në Twitter.