Arbëri

CSR Kosova ndau çmime për bizneset me ndikim pozitiv në shoqëri

Rrjeti CSR Kosova (Kosovo CSR Network) ka organizuar Gala Mbrëmjen Vjetore & Ceremoninë e çmimeve, duke bërë bashkë udhëheqësit shtetërorë dhe të misioneve të huaja, drejtuesit e kompanive lokale dhe ndërkombëtare, organizatat donatore, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe përkrahës të tjerë të CSR me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit ndërmjet palëve të interesit për përgjegjësi shoqërore, dukshmërisë më të lartë të CSR-it cilësor, dhe ngritjes së vetëdijes për ndikimin pozitiv që bizneset mund të kenë në shoqëri.

Linda Tahiri, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit CSR Kosova në fjalën hyrëse tha se është krenare se rrjeti që drejton është kontribues në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik nëpërmjet promovimit të konceptit, ideve dhe veprimeve konkrete që mundësojnë rritjen e ndikimit të CSR-it në shoqërinë kosovare, dhe që Rrjeti është platformë që bën bashkë kompanitë dhe organizatat e përgjegjshme ndaj shoqërisë në Kosovë se bashkërisht munden të kenë ndikim më të madh pozitiv në shoqëri.


Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ishte folës në këtë ngjarje dhe dorëzoi shpërblimin kryesor.
Znj, Ulrika Richardson, koordinatore e OKB-së për Zhvillim, tha se sektori privat është ai i cili ka bërë ndryshimin e madh në botë, duke tejkaluar edhe krizat financiare të viteve të kaluara. Shpërblimi kryesor për kontributin e dhënë përgjatë 2018 i takoj kompanisë ‘Meridian Express’, të cilin shpërblim e pranoi Drejtori i kësaj kompanie Agon Gashi. Kompania të cilin ai e drejton u rangua më së miri nga paneli i jashtëm vlerësues, i përbërë nga përfaqësues të OJQ-ve, zyrës së OKB në Kosovë, dhe organizatave shtetërore, në bazë se sa kompanitë respektojnë 10 parimet e ‘UN Global Compact’, sa kontribuojnë në objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të Agjendës 2030 të OKB, sa kanë qenë inovative dhe kanë mobilizuar palët e interesit, dhe vizionin e tyre për të ardhmen.

Gjithashtu në këtë mbrëmje u dha një çmim tjetçr i veçantë ‘CSR Appreciation Award’ që iu dha ish-drejtorit të kompanisë ‘Sharrcem’, Emmanuel Mitsou.