Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

COVID-i rëndon punën e anesteziologëve, 15 të infektuar aktualisht

Anesteziologia Agreta Gecaj-Gashi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se COVID-19 ka rënduar jashtëzakonisht shumë punën e anesteziologëve, me 15 prej tyre që aktualisht janë të infektuar nga 59 sa janë gjithsej.

“Në baza ditore deri më tash kemi kujdestaruar një anesteziolog në Infektivë, dy në mjekimin intensiv qendror për COVID ku është numri më i madh i pacientëve. Më shtimin e njësisë së tretë duhet të angazhohet edhe anesteziologu i tretë. Ne si numër jemi shumë pak, edhe para pandemisë kemi qenë pak, krahasim me rajonin, në statistikat e rajonit për 100 mijë banorë do të thotë jemi në numër shumë të vogël. Jemi më keq se Shqipëria, Mali i Zi apo Maqedonia Veriore”, ka thënë ajo.

Gecaj-Gashi ka shtuar se ka qenë vazhdimisht një mungesë e kuadrit të anesteziologëve, disa prej kolegëve të saj veçse e kanë lëshuar punën dhe kanë dalë në sektorin privat edhe gjatë kohës së pandemisë.

“Ne jemi dikund 59 anesteziologë, prej tyre rreth 15 janë të infektuar me COVID-19 tash, përfshirë edhe drejtorin e Klinikës. Është shtuar vëllimi i punës shumë për neve që jemi këtu. Jemi të stërngarkuar”, ka thënë Gecaj-Gashi.