Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

CorrWatch: Papërgjegjësia e Këshillit Shtetëror të Pranimit anuloi konkursin për sekretar në MINT

Objekti i ministrisë

Iniciativa CorrWatch ka shprehur shqetësimin lidhur me anulimin e konkursit për pozitën e Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT). Në një reagim dërguar mediave thuhet se kjo ka ndodhur si pasojë e papërgjegjshmërisë së Këshillit Shtetëror të Pranimit, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

Në reagim e CorrWatch thuhet se kjo situatë bëhet edhe më serioze, për shkak se konkursi i njëjtë është anuluar edhe tri herë të tjera radhazi dhe se kjo është tentativa e katërt e dështuar.

“Në tri herët e para, anulimi erdhi si pasojë e numrit të aplikacioneve të pranuara, i cili ishte më i vogël nga ai që parashihet me ligj, apo numri i kandidatëve që plotësonin kriteret e konkursit ishte i vogël. Konkursi u publikua për herën e katërt në qershor të vitit të kaluar, dhe ani pse numri i aplikacioneve ishte përmbushur, kësaj radhe papërgjegjshmëria e Këshillit Shtetëror të Pranimit dërgoi në anulim të konkursi”, thuhet në reagimin e Iniciativës CorrWatch, e themeluar nga konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përberë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

Në reagimin që është bërë në kuadër të projektit “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”, thuhet se sipas një vendimi të ndërmarrë, Këshilli Shtetëror për Pranim informon se anulimi i procedurës është vendosur për shkak të kompleksitetit të procesit dhe pamundësisë së tyre për t’u mbledhur brenda afatit të përcaktuar ligjor.

“Një konstatim i tillë është absolutisht i papranueshëm për CorrWatch, dhe konzorciumin si tërësi, sepse konsiderohet që Këshilli ka pasur mjaftueshëm kohë që të vazhdojë me fazat e tjera të procedurës që nga shtatori 2023, kur edhe kishin pushuar arsyet e pezullimit të procedurës për shkak të ankesës të një kandidati. Prandaj, CorrWatch konsideron që një konstatim i tillë i ofruar nga Këshilli është i papranueshëm dhe nuk mund të qëndroj si një arsyetim valid në asnjë mënyrë. Madje, një sjellje e tillë si kjo mund të krijojë mundësi për praktika të paligjshme në të ardhmen, kur mekanizma të tillë sikurse Këshilli në këtë rast, mund të përdorën në mënyrë të për të anuluar procedura të ngjashme, dhe sidomos në rastet kur institucioneve nuk iu ‘përshtatet’ lista e kandidatëve”, thuhet në reagim.

CorrWatch ka kërkuar kërkon që institucionet përkatëse të reflektojnë seriozisht mbi praktika të tilla, të tregojnë përgjegjshmëri në ushtrimin e funksioneve të tyre, dhe të evitojnë krijimin e precedentëve të cilat mund të sjellin hapësira për keqpërdorime në të ardhëm.

Edhe Corrwatch kërkon anulimin e emërimit të Lipovicës si drejtor të Akreditimit Arbëri Corrwatch kërkon anulimin e emërimit të Lipovicës si drejtor të Akreditimit

“Përfundimisht, CorrWatch konsideron se institucionet përgjegjëse duhet seriozisht të respektojnë kornizën ligjore dhe afatet e përcaktuara qartë në të, dhe të mos bëhen shkas i dështimit të procedurave, gjë që medoemos rezulton me shkelje të të drejtat të kandidatëve”, thuhet në reagim.

KOHA ka dërguar pyetje lidhur me këtë reagim MPB dhe posa të marrë përgjigje teksti do të përditësohet.