Arbëri

Çmimet e ngritura ndër problemet më madhore të qytetarëve në Kosovë

Arben Qirezi nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka thënë se mes tri problemeve kryesore në jetë, qytetarët kanë paraqitur rritjen e çmimeve të artikujve bazë.

Sipas rezultateve nga anketa “Pulsi Publik” të UNDP-së, korrupsioni nuk është më problemi më i madh për qytetarët.

“Një kohë të gjatë tri problemet kryesore kanë qenë papunësia, varfëria dhe korrupsioni. Tash korrupsioni ka rënë në vendin e pestë që është inkurajuese, por çmimet e artikujve esencialë na u kanë paraqitur si një prej problemeve madhore”, tha ai në emisionin "60 Minuta".

Qirezi shtoi se kënaqshmëria e qytetarëve ndaj institucioneve është ulur në krahasim me vitin paraprak.

“Më 2020 kënaqshmëria me qeverinë ka qenë 21.3%, më 2021 ka qenë 59.1%, këtë prill kemi rënie me 47.2%”, tha ai.

Për gjykatat, ka thënë se kënaqshmëria ndaj tyre është ngritur.

“Nëse shohim kënaqshmërinë e qytetarëve me performancën e gjykatave është ngritur nga 33.9% më 2021, në 39.1% më 2022, që është shkalla më e lartë e kënaqshmërisë e regjistruar ndonjëherë në gjyqësorin e Kosovës”.

Sqaroi se rezultatet kanë treguar edhe për perceptimin e qytetarëve për institucionin më të korruptuar në vend.

“Perceptimi i qytetarëve është se institucioni më i korruptuar është Dogana e Kosovës, pasuar nga AKP-ja dhe gjykatat. Kemi rënie të perceptimit të korrupsionit në arsim. Me qeverinë qendrore ka rënie po ashtu”, shtoi ai.

Ai ka mohuar se përzgjedhja e kompanive që bëjnë anketimet është bazuar në interesa vetjake. Ai tha se tenderët jepen me konkurse të hapura.

“Kompanitë që janë të specializuara për anketim e bëjnë mbledhjen e të dhënave për UNDP kurse analizën e bënë UNDP. Nuk shkojmë që të përzgjedhim një kompani pse po na pëlqen, përzgjedhja bëhet përmes një tenderi, konkursi të hapur. I hedh poshtë akuzat që ne angazhojmë kompani të caktuara”, tha Qirezi.